Tetova mbrëmë e hapi perden e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, i cili për gjashtë net me radhë do të sjellë para publikut shfaqje nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova dhe Presheva. Në Pallatin e Kulturës, programi nisi me shfaqjen “Duke pritur Godonë”, në interpretim të Teatrit Shqiptar të Kumanovës. Deri më 6 tetor, skena tetovare do të mirëpresë gjashtë trupa teatrore, me vepra dhe qasje të ndryshme artistike, shkruan Portalb.mk.
Sonte, në natën e dytë të festivalit, Teatri Popullor i Velesit do të prezantohet me shfaqjen “Darkë për budallenjtë”. Shfaqja “Darka për Budallenj” nga Francis Weber është një komedi bashkëkohore e personazheve, e cila përmes një situate të thjeshtë dramatike ngre pyetje komplekse rreth moralit, elitizmit dhe marrëdhënieve njerëzore. Qasja e regjisorit në këtë prodhim bazohet në aktrimin realist dhe një ritëm skenik të ndërtuar me kujdes, ku humori buron nga struktura psikologjike e personazheve.
Hapsira skenike trajtohet si një sistem i mbyllur në të cilin kontrolli i personazhit kryesor gradualisht shkatërrohet, duke zbuluar dobësitë dhe kontradiktat e tij. Përmes personazhit të Pignon, shfaqja ngre dilemën qendrore – nëse naiviteti është vërtet një e metë, apo një formë sinqeriteti që mungon në shoqërinë moderne. Në këtë mënyrë, komedia fiton edhe një dimension etik, duke tejkaluar kornizën e saj të zhanrit.
Nesër në skenë ngjitet Teatri Kombëtar Eksperimental i Tiranës me “Big Baby”, ndërsa më 4 tetor publiku do të ndjekë “Vetmi në Perëndim” të Teatrit të Qytetit të Preshevës.
Mbrëmja e 5 tetorit i kushtohet shfaqjes “Litari” të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Festivali do të përmbyllet më 6 tetor me “Zotëriu i parë”, në interpretim të Teatrit Shqiptar të Shkupit.
Të gjitha shfaqjet zhvillohen në Pallatin e Kulturës në Tetovë, me fillim në orën 20:00.