Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj një punonjësi të policisë nën dyshimet për sulm të inspektorëve të qytetit të Shkupit gjatë inspektimit të rrjetit të kanalizimit, transmeton Portalb.mk.
“Kallëzim penal kundër B.M., nëpunës policor në Njësinë për Çështje Kriminalistike Çair pranë SPB Shkup për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e veprimit zyrtar” sipas nenit 382, paragrafi 1 i Kodit Penal”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut.
Policia sqaroi se policit do t’i merret arma dhe do të largohet nga vendi i punës deri në përfundimin e procedurës disiplinore.
“Me datën 05.07.2025, inspektorët e qytetit të Shkupit konfirmuan se në komunën e Shuto Orizarës kishte kyçje të paligjshme në sistemin e kanalizimit nga ana e nëpunësit policor B.M., ndërsa ai u është kërcënuar të pranishmëve, ka përdorur forcë fizike ndaj këshilltares së qytetit të Shkupit I.V. dhe i ka penguar inspektorët e qytetit të Shkupit që të incizonin me telefonat e tyre celularë me qëllim që të dokumentojnë situatën e gjetur në terren”, deklaruan nga Policia, duke vlerësuar se ai e ka penguar mbikëqyrjen inspektuese.
Ndryshe, Gjykata Penale Themelore në Shkup sot (2 shtator) solli vendim me të cilin Sulejman Lamallari dënohet me dy vjet burg për dhunë të rëndë ndaj kryetares së Shkupit, Danella Arsovska.
Rasti për të cilin Lamallari u dënua i referohet incidentit të 11 korrikut të këtij viti, kur Arsovska ishte në terren me zyrtarë të autorizuar pas një raportimi për ndërtim të paligjshëm. Sipas aktakuzës, Lamallari mbërriti me një trotinet elektrik dhe e sulmoi kryetaren fizikisht dhe verbalisht, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe duke bërë kërcënime serioze.