Gjykata Penale Themelore në Shkup sot solli vendim me të cilin Sulejman Lamallari dënohet me dy vjet burg për dhunë të rëndë ndaj kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, transmeton Portalb.mk.
Gjykata Penale thotë se palët kanë të drejtë të ankohen kundër një vendimi të tillë në Gjykatën e Apelit të Shkupit brenda tetë ditëve nga marrja e vendimit.
Dënimi, siç është konfirmuar nga gjykata, do të marrë parasysh edhe kohën që i pandehuri kaloi në arrest shtëpiak, i cili më vonë u shndërrua në masë paraburgimi.
“Lidhur me masën e paraburgimit, gjykata vendosi që ajo të zgjatet derisa vendimi të marrë formë të prerë, pra deri në fillimin e vuajtjes së dënimit me burg, por jo më shumë se gjashtëdhjetë ditë”, tha Gjykata Penale në një deklaratë.
Rasti për të cilin Lamallari u dënua i referohet incidentit të 11 korrikut të këtij viti, kur Arsovska ishte në terren me zyrtarë të autorizuar pas një raportimi për ndërtim të paligjshëm. Sipas aktakuzës, Lamallari mbërriti me një trotinet elektrik dhe e sulmoi kryetaren fizikisht dhe verbalisht, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe duke bërë kërcënime serioze.
Në seancënparaprake dëgjimore, Lamallari i mohoi me vendosmëri akuzat se sulmoi kryetaren e Shkupit dhe tha se nuk ishte ai sulmuesi në të gjithë çështjen, por viktima.
Ai tha se ishte përpjekur t’ia merrte telefonin Arsovskës ndërsa ajo po përpiqej ta incizonte dhe kishte tundur dorën për të parandaluar regjistrimin e paautorizuar.
Ai tha gjithashtu se situata shumë shpejt u përshkallëzua në një përleshje verbale dhe më pas fizike, dhe se Arsovska e goditi me shqelm në zonën e pulpës së këmbës së majtë, ndërsa ai ishte në këmbë, pa bërë asgjë.
Dëshmia e tij ishte krejtësisht e ndryshme nga pretendimet e Prokurorisë, por edhe të palës së dëmtuar, kryetares Danela Arsovska, e cila në seancën e parë dëgjimore të mbajtur në korrik të këtij viti tha se Lamallari ishte jashtëzakonisht agresive dhe se gjatë sulmit, i cili zgjati më shumë se dyzet minuta, ajo ndihej e kërcënuar, e pasigurt dhe e frikësuar.
Gjykimi u drejtua nga gjyqtarja Biljana Kocevska, ndërsa prokuroria u përfaqësua nga prokurori Aleksandar Davçevski.