Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj ish-kryetarit të Komunës së Debërcës nën dyshimet se me vetëdije ka kryer veprën penale për disa vite. Ai nuk ka marrë masa për të siguruar shfrytëzimin e pronës në mënyrë të ligjshme, transmeton Portalb.mk.
“Ai, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Debërcës, me vetëdije, duke mos ushtruar mbikëqyrjen e detyrueshme dhe duke vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme, përkatësisht pa nënshkruar kontratë, u ka mundësuar disa personave juridikë që në një objekt afarist në pronësi të komunës, në parcelë kadastrale në fshatin Volinë, gjatë periudhës 2017–2025, të ushtrojnë lirshëm veprimtari tregtare, pa detyrimin për ta paguar kompensimin përkatës në buxhetin e komunës”, raportoi Policia.
I akuzuari është 60 vjeçari Z.N., ndërsa dyshohet se ka kryer veprën penale “Punë e pandërgjegjshme në detyrë”, duke dëmtuar financiarisht buxhetin e komunës.