Padi ndaj disa personave nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova në lidhje me aksidentin vdekjeprurës në autostradë

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj disa personave si të dyshuar për shkaktimin e një aksidenti vdekjeprurës në autostradën ndërmjet Shkupit dhe Kumanovës në fillim të muajit shtator, transmeton Portalb.mk.

“Kallëzim penal kundër D.D.(40), D.M.(59), P.G.(42), P.M.(56), S.S.(39) dhe R.P.(58), të gjithë nga Shkupi dhe rrethina e Shkupit, kundër Z.N.(61) nga Manastiri dhe H.R.(58) nga Kosova , si dhe dy persona juridikë nga Shkupi dhe një person juridik nga Gostivari për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale”, raportoi Policia e Maqedonia e Veriut.

Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut gjatë punimeve ndërtimore”, “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, “rrezikim i sigurisë në komunikacion” dhe “krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”. Këto vepra janë të dënueshme në bazë të Kodit Penal.

“Më datën 02.09.2024 në ora 11:30 në SPB Shkup është denoncuar se në autostradën Shkup – Kumanovë, rreth dy kilometra para Pikë Pagesës “Miladinoc”, automjeti i pasagjerëve “mercedes” me targa të Kumanovës, i drejtuar nga B.A. (34) nga fshati Opajë, Kumanovë, ka goditur në mënyrë të kundërligjshme tabelat e vendosura në komunikacion për devijimin e komunikacionit dhe kamionin e ndalur “man” me targa të Shkupit, në pronësi të personit juridik nga Shkupi dhe i parkuar në mënyrë të kundërligjshme nga R.P.(58) nga f. Gllumovë- Shkup”, sqaroi Policia.

Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike më 5 shtator ka dhënë Urdhër për inspektim të punimeve në autostradën Shkup – Kumanovë dhe ndërprerjen urgjente të punimeve, pasi në këtë aksident ka ndërruar jetë shoferi B.A. dhe djali i tij i vogël.

Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria menjëherë kishte filluar procedurat ndaj dy personave të dyshuar për veprën penale – Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion. Ndaj tyre, pas masës së paraburgimit prej 48 orëve, u caktua masa e kujdesit.

Aksident trafiku rrugor (veturë motor biçikletë bus)Autostradë(a)KumanovaMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Policia e Maqedonisë së VeriutVdekje