Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftën kundër korrupsionit kërkon nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut që menjëherë të ndalojë miratimin e Projektligjit për zbatimin e projektit “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”, me procedurë të shkurtuar, të dorëzuar nga një grup deputetësh, transmeton Portalb.mk.
Me Projektligjin propozohet që, për zbatimin e këtij projekti, Qyteti i Shkupit të themelojë Fondacionin “Kryeqyteti Evropian i Kulturës – Shkup 2028” dhe që për prokurimet e këtij Fondacioni të mos zbatohet Ligji për Prokurimet Publike.
Platforma konsideron se Fondacioni, i cili do të themelohet nga Qyteti i Shkupit dhe do të financohet nga buxheti, si dhe nga fondet e Bashkimit Evropian, është person juridik që, mbi të gjitha bazat, duhet të ketë statusin e autoritetit kontraktues, i cili duhet t’i zbatojë dispozitat e Ligjit për Prokurimet Publike.
“Përjashtimi i Fondacionit të ardhshëm si autoritet kontraktues nga detyrimi për respektimin e Ligjit për Prokurimet Publike krijon pabarazi të institucioneve para ligjit. Platforma e njeh rëndësinë e jashtëzakonshme kulturore dhe shoqërore të projektit dhe nevojën që ai të realizohet në kohë dhe me sukses. Megjithatë, rëndësia dhe përmasat e projektit, si dhe fondet e konsiderueshme publike që do të përdoren për zbatimin e tij, kërkojnë një nivel më të lartë, e jo më të ulët, të transparencës, llogaridhënies dhe mbrojtjes nga korrupsioni”, thonë nga platforma.
Prandaj, ata thonë se shqetësuese është se Projektligji nuk parashikon vetëm përjashtime të ngushta për shërbime unike autoriale apo artistike, por përjashton tërësisht sistemin e përgjithshëm të prokurimeve publike, përfshirë edhe mallrat, shërbimet, pajisjet, infrastrukturën dhe punët ndërtimore standarde, për të cilat ekziston konkurrencë efektive në treg.
Platforma paralajmëron se miratimi i një ligji të tillë krijon precedent pasi përjashtimi i një subjekti nga Ligji për Prokurimet Publike përmes një ligji të veçantë krijon rrezik të madh për korrupsion, i cili mund të përsëritet për çdo projekt të ardhshëm të shpallur si prioritet.
“Për më tepër, edhe pse Këshilli i Qytetit të Shkupit e themelon Fondacionin si person juridik, është kryetari i Qytetit ai që emëron dhe shkarkon anëtarët e Bordit Drejtues dhe të Bordit Mbikëqyrës të Fondacionit, dhe jo Këshilli. Përveç diskrecionit të gjerë që i është dhënë kryetarit në procesin e emërimit dhe shkarkimit, për këto funksione, si dhe për funksionin e drejtorit, nuk parashikohen kritere dhe standarde minimale që duhet t’i përmbushin kandidatët, ndërsa nuk përcaktohet as procedura për zhvillimin e përzgjedhjes. Në këtë formë, Projektligji nuk krijon kushte që garantojnë përzgjedhjen e kuadrove profesionale dhe ekspertëve që do ta menaxhojnë Fondacionin”, thonë nga platforma.
Ata theksojnë se në të njëjtën kohë, Bordi i Fondacionit miraton planin e prokurimeve, formon komisionet, vendos për prokurime të caktuara dhe vendos për ankesat e pjesëmarrësve në procedura. Në këtë mënyrë, ata sqarojnë se kompetencat normative, menaxhuese dhe kontrolluese përqendrohen brenda së njëjtës strukturë, pa mbrojtje të pavarur ankimore dhe pa garancitë që ofron Ligji për Prokurimet Publike.
“Publikimi i kontratave dhe auditimi i mëvonshëm janë mekanizma të rëndësishëm, por nuk mund ta zëvendësojnë konkurrencën publike, procedurat ligjore të përcaktuara paraprakisht dhe mbrojtjen e pavarur juridike. Projektligji është dorëzuar me procedurë të shkurtuar, nuk është publikuar në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve (ENER) dhe për të nuk është kryer vlerësim antikorrupsion i rregullores. Për një akt ligjor, përmbajtja e të cilit nënkupton përjashtimin nga mekanizmat e kontrollit, mungesa e debatit publik paraqet rrezik shtesë”, thonë nga platforma.
Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftën kundër korrupsionit kërkon nga Kuvendi që menjëherë të ndalojë miratimin e këtij Projektligji dhe të refuzojë shqyrtimin e tij me procedurë të shkurtuar. Ata shtojnë se propozuesit duhet ta tërheqin projektligjin dhe ta dërgojnë për konsultim publik përmes ENER-it, duke kryer vlerësimin e ndikimit të rregullores dhe pa dispozita me të cilat shmanget zbatimi i Ligjit për Prokurimet Publike.
Gjithashtu, Platforma i bëri thirrje edhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që ta shqyrtojë Projektligjin nga aspekti i rreziqeve për korrupsion dhe të dorëzojë një opinion për publikun dhe Kuvendin.
Për këtë çështje sot ka reaguar edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, ata thonë se sigurimi i integritetit, ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies gjatë shpenzimit të mjeteve publike përbën parakusht themelor për mbrojtjen e interesit publik dhe parandalimin e rreziqeve nga korrupsioni.
“Çdo zgjidhje ligjore me të cilën parashihet përjashtimi ose kufizimi i zbatimit të ligjeve sistemore, veçanërisht i Ligjit për Prokurimet Publike, duhet të arsyetohet qartë, në mënyrë të detajuar dhe bindëse nga aspekti i interesit publik, domosdoshmërisë së një përjashtimi të tillë, proporcionalitetit të tij dhe vendosjes së mekanizmave efikasë për parandalimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të mjeteve publike”, thonë nga KSHPK.
Ata theksojnë se zbatimi i parimeve të transparencës, trajtimit të barabartë, konkurrencës së lirë dhe të drejtë, ekonomicitetit, llogaridhënies, integritetit dhe kontrollit efektiv nuk duhet të vihet në pikëpyetje, pavarësisht nga forma institucionale përmes së cilës do të realizohet projekti apo rëndësisë së tij.
“Nëse ligjvënësi vlerëson se është e nevojshme miratimi i një zgjidhjeje të veçantë ligjore për realizimin e projektit, KSHPK-ja thekson se ajo duhet të përmbajë mekanizmat e përcaktuar me Ligjin për Prokurimet Publike, të cilët garantojnë integritetin, ligjshmërinë, transparencën dhe llogaridhënien publike”, thanë nga KSHPK.
Në përputhje me kompetencat e saj ligjore, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, edhe në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026–2030, e ka identifikuar miratimin e ligjeve me procedurë të shkurtuar, përmes të cilave anashkalohet zbatimi i ligjeve sistemore, si rrezik të lartë për korrupsion, dhe ka propozuar masa dhe aktivitete për tejkalimin e tyre.
“Gjithashtu, vlerësojmë se zgjidhje të tilla të rëndësishme ligjore duhet paraprakisht dhe detyrimisht t’i dorëzohen KSHPK-së për shqyrtim nga aspekti i rreziqeve të korrupsionit”, thanë nga KSHPK.
Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut më 20 shtator 2023 është shpallur Kryeqytet evropian i kulturës për vitin 2028. Shkupi është një nga tre kryeqytetet evropiane të kulturës. Përveç Shkupit, kryeqyteti i kulturës evropiane tashmë është shpallur edhe qyteti çek Çeske Bugjejovice, ndërsa kryeqyteti i tretë do të zgjidhet më 13 dhjetor në garë mes qyteteve franceze Bourges, Clermont-Ferrand, Montpellier dhe Ruen.