Opozita shqiptare kërkoi të tërhiqet Ligji për përfaqësim të drejtë, shumica nuk pranoi

Në seancën e sotme të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, opozita shqiptare ka kërkuar që të tërhiqet nga rendi i ditës Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, por kjo nuk u pranua nga shumica, transmeton Portalb.mk.

Këtë kërkesë e bënë deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti dhe deputeti i BDI-së, Ilir Hasani.

Ilire Dauti kërkoi që propozimi të hiqet nga rendi i ditës sepse vlerësoi se Kuvendi ende nuk është gati ta miratojë të njëjtin.

“Pa mos u sqaruar të gjitha dilemat të cilat janë në raport me këtë ligj, po ju sigurojmë që ky ligj nuk është i gatshëm për t’u votuar, prandaj propozoj që i njëjti të largohet. Ju i jeni drejtuar edhe Komisionit Venedikut dhe pikërisht i njëjti ju ka thënë që nuk jemi kompetentë për t’u përgjigjur për pyetjet e parë dhe të tretë të cilat s’kemi mundësi tash t’i elaborojmë. Pra as ata s’ju kanë thënë përgjigje të prerë se ky duhet të jetë ligji që ju e propozoni”, tha Dauti.

Ilir Hasani tha se në këtë formë që është, ligji nuk duhet të kalojë sepse është antikushtetues dhe se e dëmton Marrëveshjen e Ohrit.

“O do ta zgjidhim si duhet përfaqësimin e drejtë, o s’do e bëjmë fare. Me forcë, kundër interesave të shqiptarëve, që na kanë nderuar në çdo situata të vështirë, ne nuk shkojmë. Ju mund të shkoni por ne kurrë nuk shkojmë! Edhe me luajtur me ndjenjat e shqiptarëve, me mendjen e Qokut, ne nuk do ta lejojmë asnjëherë”, tha Hasani.

Këtë propozim, kreu i kuvendit, Afrim Gashi e vendosi në votim, por nuk u pranua.

“Propozimin e deputetes Ilire Dauti që të largohet pika e 8-të nga rendi i ditës, e vë në votim. Ju ftojmë të votojmë. Konstatoj se propozimi i deputetes nuk është pranuar”, tha Gashi.

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj.

Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.

Afrim GashiIlire DautiLigji për përfaqësim të drejtë - BalancuesiParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut