Komisioni Parlamentar për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve vazhdoi me debatin mbi amendamentet mbi projektligjin për përfaqësim adekuat dhe të drejtë në lexim të dytë. Sot para anëtarëve të komisionit janë 31 amendamente, por për shkak të diskutimeve dhe shpjegimeve të gjera, deputetët arritën të shqyrtojnë vetëm tre amendamente që përfaqësuesi i Qeverisë, zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali dhe ministër i Çështjeve Evropiane, nuk i pranoi, transmeton Portalb.mk.
Deputetja Rina Ajdari propozoi që ligji të ndryshohet dhe se ai do të mundësonte që, në çdo punësim në një organ publik, pozicionet e lira të shpërndahen proporcionalisht midis komuniteteve sipas përqindjes së regjistrimit, të zgjidhet kandidati me vlerësimin më të ulët dhe, pas tre shpalljeve të pasuksesshme, pozicioni të hapet për një konkurs të përgjithshëm
“Ky amendament ofron një mekanizëm të matshëm për shpërndarje proporcionale dhe boshllëku i krijuar nga ky ligj duhet të mbushet. Risia kryesore e amendamentit është mundësia për të matur cilësinë brenda komunitetit midis anëtarëve të të njëjtit komunitet, pra të zgjidhet kandidati më i kualifikuar”, shpjegoi Ajdari dhe shtoi se kjo është në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut, sipas të cilit kualifikimet janë kriteri bazë për punësim.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Çështjeve Evropiane Bekim Sali nuk e pranoi amendamentin e propozuar, duke shpjeguar se propozimi i deputetes Ajdari është në kundërshtim me sistemin ekzistues të punësimit.
“Propozimi është një procedurë e re punësimi që nuk parashikohet në projektligj. Punësimi i drejtë rregullohet nga mekanizmat institucionalë dhe rregulloret ligjore përkatëse. Zgjidhja e propozuar krijon një konflikt me sistemin ekzistues të punësimit dhe nuk sjell garanci shtesë për zbatimin e tij”, shpjegoi zëvendëskryeministri Sali.
Në debatin e sotëm mbi amendamentet, deputeti nga partia politike Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Sali Murati, kërkoi që ligji të tërhiqet sepse, siç tha ai, është antikushtetues, antidemokratik, jofunksional dhe nuk kontribuon në përfaqësimin e drejtë të komuniteteve.
“Në një shoqëri me pabarazi të thella strukturore, tregu i lirë në vetvete nuk i korrigjon pabarazitë, por përkundrazi i thellon ato. Ligji i propozuar nuk ka mekanizma për përmirësim, asnjë masë aktive, asnjë kuotë, asnjë mekanizëm sasior, gjë që është shumë e rëndësishme. Një shembull i këtij ligji duhet të jetë ligji për barazinë gjinore, i cili me kuota mundësoi që përfaqësimi i grave në institucione të jetë mbi mesataren evropiane, por për fat të keq kur bëhet fjalë për të drejtat e komuniteteve, nuk ka të njëjtën qasje, domethënë po përjetojmë standarde të dyfishta në politikat publike. Dua të them se ky ligj është antikushtetues, antidemokratik, jofunksional dhe i papranueshëm për komunitetin turk. Integrimi ynë në fakt po bëhet shpërbërje dhe në planin afatgjatë asimilim, dhe për këtë arsye duhet të tërhiqet”, theksoi deputeti Murati.
Kryetari i Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive Ljupço Prendzov, e ndërpreu përkohësisht seancën për shkak të angazhimeve qeveritare të zëvendëskryeministrit Bekim Sali dhe njoftoi vazhdimin e debatit të amendamenteve për projektligjin për përfaqësim adekuat dhe të drejtë.
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj.
Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.
- LEXO: Përsëri akuza në Kuvend për Ligjin për përfaqësim të drejtë, Bekim Sali nuk i pranoi amendamentet e opozitës
- LEXO: Mes debateve të ashpra, Ligji i kontestueshëm për përfaqësim kaloi filtrin e parë në Kuvendin e RMV-së
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të miratohet me “Badenter të vogël”
- LEXO: Pas shumë zvarritjeve dhe heshtjeve, Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat u bë publik (dokument)