Spanja ka siguruar një grant prej 250 mijë eurosh për përgatitjen e investimit për vazhdimin e ndërtimit të objekteve të Fakultetit për shkenca kompjuterike dhe Fakultetit të Edukimit Fizik në Shkup, përcjell TV21.
Mjetet janë të dedikuara për asistencë teknike, përgatitjen e dokumentacionit dhe realizimin fillestar, dhe jo drejtpërdrejt për punimet ndërtimore. Ndërtimi i dy objekteve nisi në vitin 2015, por u ndërpre në vitin 2019, duke i lënë objektet në fazën e karabinës.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në objektin e Fakultetit për shkenca kompjuterike janë realizuar rreth 14 për qind e punimeve, ndërsa në Fakultetin e Edukimit Fizik rreth 16,8 për qind. Ndërkohë, projektet janë rishikuar dhe janë ndërmarrë hapa për tejkalimin e pengesave administrative dhe teknike.
Ministria njoftoi në mars se procesi për vazhdimin e ndërtimit është zhbllokuar, ndërsa Qeveria paralajmëroi investim prej rreth dy miliardë denarësh. Granti spanjoll, i siguruar përmes Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, pritet të ndihmojë në fazën përgatitore të projektit.
Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në janar të vitit 2026-të, njoftoi se do të hartohen projekte të reja për ndërtesat e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe të FSHIIK-ut në Shkup, ndërtimi i të cilave është ndalur para gjashtë vitesh.
Parashihet që të dy objektet të lidhen me një urë, në interes të realizimit më cilësor të studimeve ndërdisiplinore. Objektet nuk do të kenë fasadë baroke, por moderne.
Ndërtimi i këtyre dy objekteve brenda kampusit të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) filloi në vitin 2015, ndërsa u ndërpre në vitin 2019, kur kontraktori “Beton Shtip” shkoi në falimentim. Që atëherë ndërtesat nuk janë prekur dhe edhe ajo që ishte ndërtuar është dëmtuar. Gjatë erërave më të forta fluturojnë copa llamarine dhe materiale të tjera nga ndërtesat.
Sipas kontratave të nënshkruara për realizimin e projekteve në vitin 2015, FSHIIK duhej të kushtonte 784 milionë denarë, por janë realizuar ose paguar vetëm 40 për qind, përkatësisht 110 milionë denarë. Fakulteti i Edukatës Fizike, Sportit dhe Shëndetit duhej të kushtonte 432 milionë denarë, ndërsa realizimi i projektit është 16,9 për qind, ose janë paguar 73 milionë denarë.