I dënuari Jane Bovarovski, njëri nga të dënuarit në rastin e aksidentit tragjik në Llaskarcë, përkohësisht lirohet nga vuajtja e mëtejshme e dënimit me burg, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut për shfuqizimin e aktgjykimit të Apelit dhe kthimin e lëndës për rishqyrtim dhe vendimmarrje të re, transmeton Portalb.mk.
Nga gjykata është bërë e ditur se ka mbërritur “njoftim në lidhje me J.B.”, sipas të cilit, në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme, ai lirohet nga vuajtja e mëtejshme e dënimit deri në marrjen e një vendimi të ri.
“Ky është i vetmi i dënuar, dënimi i të cilit ekzekutohet sipas aktit të referimit të Gjykatës Penale në Shkup. Të gjithë të tjerët janë sipas vendimit të Gjykatës në Gostivar, pasi atje kanë vendbanimin”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Jane Bovarovski është njëri nga dy personat e punësuar në stacionin për kontroll teknik të autobusit që u përfshinë në rastin “Llaskarcë”. Me aktgjykimin e shkallës së parë, ai ishte dënuar me pesë vjet burg, ndërsa Gjykata e Apelit në Shkup e kishte lënë në fuqi këtë dënim.
Gjykata Supreme më 11 shtator shfuqizoi aktgjykimin e Apelit të 17 prillit 2025 dhe e ktheu lëndën për rishqyrtim dhe vendimmarrje të re. Me këtë vendim u pranuan kërkesat e të dënuarve të paraqitura përmes mbrojtësve të tyre.
Në aktgjykimin e parë, të shpallur në janar 2024, gjashtë të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me gjithsej 39 vjet burg. Shoferi Manoil Trifunovski u dënua me 14 vjet, pronari i “Durmo Turs”, Durmish Beluli, me katër vjet, ndërsa Remzi Miftari me gjashtë vjet. Tre të punësuarit në stacionin për kontroll teknik, përfshirë J.B., u dënuan me nga pesë vjet burg.
Aksidenti i autobusit ndodhi më 13 shkurt 2019, kur autobusi i kompanisë “Durmo Turs” doli nga autostrada pranë fshatit Llaskarcë, duke qarkulluar në linjën e rregullt Shkup–Gostivar. Në aksident humbën jetën 16 udhëtarë, ndërsa 38 të tjerë u lënduan.
GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.