“One Macedonia Telecommunications” e kompanisë hungareze “For-i-G” është ofertuesi i vetëm në tenderin për operatorin e tretë celular në RMV

“One Macedonia Telecommunications”, pjesë e kompanisë hungareze “For-i-G”, është e vetmja kompani që paraqiti ofertë në tenderin e Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE) për dhënien e lejeve për një operator të ri. Në hapjen publike të ofertave të mbajtur sot në AKE, Komisioni për zbatimin e tenderit arriti në përfundimin se ofertuesi i ka paraqitur të gjitha dokumentet, transmeton Portalb.mk.

“Tre palë të interesuara kanë paraqitur dokumentacionin e tenderit, por vetëm një ofertë nga një ofertues është paraqitur zyrtarisht. Të gjitha dokumentet nga ofertuesi janë paraqitur. Do të vazhdojë në përputhje me ligjin. Do të pasojë një vlerësim i dokumentacionit, pas së cilës do të përgatitet një raport për drejtorin e AKE, me një propozim se çfarë të bëhet si hap i ardhshëm”, tha Igor Bojaxhiev, kryetar i Komisionit.

Meqenëse ka vetëm një ofertues, nuk do të zhvillohet tender publik, njoftoi komisioni dhe shtoi se procedura do të shtyhet për shkak të zgjedhjeve.

“Duhet të marrim parasysh njoftimin nga KSHPK se në periudhën deri në fund të zgjedhjeve, kapitali shtetëror nuk mund të tjetërsohet. Meqenëse rafiofrekuencat janë një burim shtetëror i menaxhuar nga shteti dhe në këtë rast ato do të tjetërsohen, vendimi përfundimtar, nëse gjithçka është në rregull, do të merret pas përfundimit të zgjedhjeve”, shtoi Bojaxhiev.

Operatori i ri potencial celular në vend, sipas kushteve të tenderit, duhet të fillojë të funksionojë në fund të vitit 2026.

Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski tha se është mirë të ketë konkurrencë në treg dhe kritikoi operatorët ekzistues celularë për mosndërmarrjen e asnjë veprimi për uljen e çmimeve.

“Që nga dita e parë që u zgjodha në këtë detyrë, kam thënë se ekziston një duopol midis dy operatorëve celularë në tregun tonë, dhe ky është një fakt kur shihni ndarjen e tregut në 51 dhe 49. Gjithçka është e qartë, sa i përket cilësisë dhe çmimeve, mendoj se qytetarët kanë mjaftueshëm për të thënë, në mënyrë që konkurrenca të jetë e shëndetshme dhe e mirë. AKE tha se kanë kufizime të caktuara që lidhen me zgjedhjet, por zgjedhjet do të përfundojnë pas dy muajsh, procedura do të vazhdojë. Sipas rregullave të tenderit, operatori i ri duhet të jetë në funksion deri në fund të vitit të ardhshëm, që do të thotë se i jepet një vit për t’u pajisur, me stacione bazë, etj., dhe tashmë vitin e ardhshëm do të jemi në gjendje të kemi telefona celularë me një operator të tretë në vend”, tha Nikolloski.

Agjencia për Komunikime Elektronike (AKE) njoftoi në prill qëllimin e saj për të zhvilluar një procedurë publike tenderimi me oferta publike për një operator të ri rrjeti në vend, me kërkesë të “One Macedonia Telecommunications”, që kompania hungareze e telekomunikacionit “For-i-G” e regjistroi në vend pas njoftimit për hyrje në tregun maqedonas të telekomunikacionit.

Qëllimi për të zhvilluar një tender publik, siç shton AKE, është me iniciativë të saj dhe bazuar në një kërkesë të marrë nga “One Macedonia Telecommunications” më 16.04.2025.

Hyrja e një operatori të tretë celular në vend u njoftua vitin e kaluar, dhe fakti që ka interes nga “For-i-G” hungarez u zbulua nga Ministria e Transportit pas takimit zyrtar të Ministrit Nikolloski me përfaqësues të kompanisë në Hungari.

Aleksandar NikollovskiHungariaMinistria e Transportit (MT)Telekomunikacion