Njeriu që mendon se mundet

Mendimtarët shqiptarë të viteve ’30 të shekullit të kaluar e shihnin apatinë qytetare si pengesë për zhvillimin e kombit dhe të shtetit.

Kombet që ndodhen në gjendje apatie e humbin ndjenjën për ndryshim. Pasojat e kësaj gjendjeje janë humbja e motivimit për nisma të reja dhe humbja e besimit tek institucionet. Ndër pasojat e saj është edhe largimi i të rinjve. Dhe sa më shumë të zgjasë kjo gjendje, aq më i vështirë bëhet ndryshimi.

Sot është e përhapur bindja se këtu s’ka më shpresë për asgjë; se gjërat s’do të përmirësohen; se nuk ia vlen të përpiqesh të bësh diçka për komunitetin, kur dështimi duket i garantuar; se zgjidhja duhet kërkuar gjetiu.

Apatia e zgjeron pushtetin e saj. Ajo është shumë e pranishme te njeriu i shoqërisë sonë, i cili, pasi është mashtruar shumë herë, e sheh dështimin pothuajse si fat të paracaktuar, të cilit ose duhet t’i nënshtrohet, ose duhet të kërkojë shpëtimin duke u larguar nga vendi.

Pengesa kryesore që pamundëson arritjen e një synimi nuk gjendet vetëm jashtë nesh, por edhe brenda nesh. Pra, kur bindemi se s’mund t’ia dalim në përpjekjet tona për të ndryshuar diçka, qoftë në planin personal apo shoqëror. Kjo gjendje, sipas Anton Harapit, paraqet “dobësi mendore, dobësi morale dhe dobësi shoqërore”.

A mund të dalim nga kjo gjendje që na paralizon dhe na shuan çdo ndjenjë për nisma të reja?

Le të kujtojmë poezinë e njohur “Njeriu që mendon se mundet” të Walter D. Wintle-it. Është poezi moralizuese, artistikisht jo aq e fuqishme, por na shërben si urti mbi vetëbesimin.

Wintle-i shkroi se suksesi dhe dështimi varen edhe nga mënyra se si mendojmë; se forca dhe talenti nuk mjaftojnë kur na mungon vetëbesimi se mund t’ia dalim; se kur bindemi që nuk mundemi, shpesh heqim dorë pa e provuar mundësinë e suksesit; se nëse që në fillim kemi frikë nga dështimi, atëherë veçse kemi dështuar; se betejat e jetës nuk i fitojnë gjithmonë më të fortët apo më të shpejtët, por ata që besojnë te vetja dhe vazhdojnë të ecin përpara. Dhe, herët a vonë, fiton ai që mendon se mund t’ia dalë.

Shpresa na rikthehet kur kemi qëllime më të larta, kur marrim pjesë në nisma të ndryshme, edhe nëse shohim vetëm rezultate të vogla. Pra, kur besojmë se mund të dalim nga shkretëtira e shterpësisë dhe e kotësisë. Vetëbesimi ringjallet kur udhëhiqemi nga kryefjala: “Beso dhe vepro për veten dhe për komunitetin!” Pra, kur besojmë se mundemi, së bashku, të bëjmë diçka të mirë për të tashmen dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu