Një vajzë 10 vjeçare nga Gllumova është lënduar nga një plumb

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se gjatë ditës së shtunë (31 janar) një vajzë 10 vjeçare është lënduar nga një plumb qorr në oborrin e shtëpisë. Vajza ka marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa MPB po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit, transmeton Portalb.mk.

“Më 31.01.2026 rreth orës 16:00, në SPB Shkup u denoncua se në oborrin e një shtëpie në fshatin Gllumovë të Shkupit, nga një plumb qorr  ishte plagosur një vajzë 10-vjeçare në pjesën e këmbës, pas çka u dërgua në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë”, ku mjeku i konstatoi  lëndime të rënda trupore. Po merren masa për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ky është fëmija i dytë brenda një muaji që goditet nga një plumb qorr. Rasti i parë u regjistrua gjatë mbrëmjes së vitit të ri, ku një fëmijë dy vjeçar ishte goditur nga një plumb qorr teksa po shikonte fishekzjarrët dhe në momentin e incidentit ndodhej jashtë së bashku me të ëmën. Fëmija u dërgua në Qendrën Klinike “Nëna Terezë” në Shkup, ku ndërroi jetë një ditë më pas si pasojë e lëndimeve të rënda në tru të shkaktuara nga një trup i huaj metalik.

ArmëKronikë e zezëMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Plagosje