Nga premtimi në pluhur, tre rrugë midis Kazermës dhe Qendrës Sportive në Tetovë mbetën pa asfalt prej gati një viti

Tre rrugë në bllokun ndërmjet Kazermës dhe Qendrës Sportive në Tetovë kanë mbetur pa asfalt prej tetorit të vitit të kaluar. Bëhet fjalë për rrugën 140, një pjesë të rrugës 141 dhe rrugën 162, ku gërryerja e nisën para zgjedhjeve, por më pas u ndërprenë. Banorët ankohen për pluhurin dhe kushtet e vështira, ndërsa nga komuna thonë se presin përfundimin e kanalizimit atmosferik nga NPK “Sharri” për të vazhduar me asfaltimin, shkruan Portalb.mk.

Sipas banorëve të kësaj zone, rrugët janë lënë të papërfunduara që nga tetori i vitit të kaluar, ndërsa gjatë ditëve të nxehta problemi është bërë edhe më i madh për shkak të pluhurit.

“Këto rrugë nuk janë duke u asfaltuar që nga tetori i vitit të kaluar, nisën para zgjedhjeve dhe u harruan”, thotë një banor.

Banorët thonë se kalimi i automjeteve krijon pluhur, të cilat sipas tyre paraqesin problem veçanërisht për fëmijët.

“Pluhur i madh tani kur temperaturat janë të larta, kalon një veturë pluhuri ngrihet lartë. Fëmijët kalojnë rrugën, thithin pluhur. Te rruga 162 ka edhe çerdhe, tmerr është”, shprehet një tjetër banor.

Ata kërkojnë që punimet të përfundojnë dhe kritikojnë zvarritjet nga autoritetet.

“Nuk është në rregull të lihet gati një vit gjendja kështu. Më duket se këto ditë më në fund do fillojnë t’i rregullojnë, ashtu dëgjova, por ta shohim tani”, thotë një banor.

Rruga e pa asfaltuar në bllokun midis Kazermës dhe Qendrës Sportive në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë se arsyeja për vonesën e asfaltimit lidhet me punimet për kanalizimin atmosferik.

“Presim që NPK ‘Sharri’ ta realizojë kanalizimin atmosferik. Menjëherë pas përfundimit të këtyre punimeve, të vazhdojmë me asfaltimin. Qëllimi ynë i përbashkët është që punët të realizohen sa më shpejtë dhe në të mirë të qytetarëve”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Rruga e pa asfaltuar në bllokun midis Kazermës dhe Qendrës Sportive në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndërkaq, nga NPK “Sharri” për Portalb.mk thonë se punimet pritet të nisin javën e ardhshme.

“E kishim në plan të nisim në rrugën 140, por ka një rast vdekje te ajo lagje dhe do të shtyhet për disa ditë”, thanë nga NPK “Sharri”.

Rruga e pa asfaltuar në bllokun midis Kazermës dhe Qendrës Sportive në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë se ky nuk është rasti i vetëm në Tetovë ku punimet për asfaltimin e rrugëve kanë nisur para zgjedhjeve, por më pas janë zvarritur për muaj të tërë. Situatë të ngjashme pati edhe në rrugën “Shtipska”, si dhe në rrugën në fshatin Xhepçisht, ku punimet gjithashtu u shoqëruan me vonesa derisa përfunduan.

Komuna e TetovësNPK "Sharri"Rikonstruimi i rrugëve - të dëmtuara - gropa