Nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Tetovë, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe programin PHV, Promovimi i Vlerave Humane, kanë realizuar edhe një projekt humanitar, duke dëshmuar se kujdesi për komunitetin fillon nga veprat e vogla, por me zemër të madhe, shkruan Portalb.mk.
Pas projektit të mëparshëm në Shkollën Fillore “Iliria” dhe pas shfaqjes së filmit dokumentar në Qendrën Rinore në Tetovë, ku morën pjesë edhe pensionerët e qytetit, nxënësit vendosën që aktivitetin e radhës ta përqendrojnë te Shoqata e Pensionerëve në Tetovë.
Duke parë se oborri i shoqatës kishte nevojë për pastrim, rregullim dhe gjallërim, nxënësit ndërmorën një aksion të gjerë pune. Fillimisht ata pastruan në mënyrë të detajuar hapësirën e oborrit, ndërsa më pas u kujdesën për lyerjen e pjesëve dekorative për lulet, drunjve, parmakëve dhe gomave dekorative që ndodheshin aty.
Për t’i dhënë oborrit një pamje më të bukur, më të ngrohtë dhe më mikpritëse, nxënësit blenë dhe mbollën lule e fidane të reja. Me përkushtim dhe punë të përbashkët, hapësira u shndërrua në një vend më të këndshëm për pensionerët, të cilët aty kalojnë një pjesë të madhe të ditës së tyre.
Përveç rregullimit të ambientit, nxënësit siguruan edhe një tavolinë dhe disa karrige, me qëllim që pensionerët të kenë një vend më të përshtatshëm për pushim, bisedë dhe socializim. Ky gjest u mirëprit me shumë mirënjohje nga pensionerët, të cilët e vlerësuan lart angazhimin dhe kujdesin e treguar nga të rinjtë.
Të gjitha punët u realizuan nga vetë nxënësit, të cilët pastruan, mbollën, lyen dhe u kujdesën për çdo detaj të oborrit. Rezultati përfundimtar ishte më se i dukshëm: një hapësirë e harruar dhe pa përkujdesje për një kohë të gjatë mori pamje të re.
“Ky projekt është iniciativë humanitare e realizuar nga nxënësit në bashkëpunim me organizatën e Kryqit të Kuq, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe rritjen e mirëqenies së pensionerëve në qytetin e Tetovës”, deklaroi për Portalb.mk diseminatorja Zulejha Fidani.
Ky aktivitet është një shembull se si të rinjtë, përmes vullnetarizmit dhe përgjegjësisë shoqërore, mund të sjellin ndryshime konkrete në komunitet dhe të ndërtojnë ura solidariteti mes gjeneratave.