Nesër në Çair do të fillojnë “Ditët e Teatrit”, në shesh do të luhen tri shfaqje

Pas ditëve të panairit dhe sporteve të ndryshme, nesër do të fillojnë “Ditët e Teatrit”, ku përfshihen tri shfaqje, ashtu që çdo ditë do të luhet nga një shfaqje, transmeton Portalb.mk.

Në ditën e parë, më 16 qershor, duke filluar prej orës 21:00 në sheshin “Skënderbeu” do të fillojë shfaqja “Gënjeshtra”, shfaqje e cila do të luhet nga Teatri i Gjilanit.

Shfaqja e dytë do të luhet më 17 qershor nga ora 21:30. Shfaqja me titull “Kush është Silvia” do të interpretohet nga aktorët e Ferizajt.

“Një shfaqje që godet thellë në moralin njerëzor, në kufijtë e dashurisë, familjes dhe së vërtetës. Një rrëfim brutal emocional, që lë publikun përballë pyetjeve nga të cilat nuk mund të ikësh”, interpretohet shfaqja e dytë, nën regji të Fatmir Hysenit.

“Ditët e Teatrit” do të mbyllen me shfaqjen “Përtej Hekurave”, shfaqje nën regji të Naser Shatrollit, ndërsa luajtën Ylber Murtezi, Genci Mirzo dhe Visar Etemi. Kjo shfaqje do të luhet në Teatrin Shqiptarë në Shkup prej orës 20:00.

Në hapjen solemne do të marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i shoqëruar nga kryetari i Çairit, Izet Mexhiti.

Ndryshe, aktivitetet e shumëllojshme të Komunës së Çairit në muajin qershor filluan me panairin e librit shqip më 3 qershor. Prej asaj dite janë realizuar aktivitete të ndryshme në sheshin “Skënderbeu” në Çarshinë e vjetër të Shkupit.

ÇairiIzet MexhitiKomuna e ÇairitKultura shqiptareKulturë lajmeTeatri Kombëtar ShqiptarTeatri Shqiptar Shkup