Në verë rritet numri i infeksioneve të zorrëve që përcillen nëpërmjet ushqimit dhe ujit

Periudha e verës dhe temperaturat e larta e rrisin rrezikun nga infeksionet e zorrëve, pra infeksioneve që përcillen nëpërmjet ushqimit dhe ujit dhe për këtë arsye parandalimi në kohë, përpunimi termik dhe ruajtja e ushqimit mënyrën e duhur, si dhe përdorimi i ujit të sigurt, janë qenësorë për uljen e rrezikut nga këto sëmundje. Përgjegjësit në Institutin e Shëndetit Publik kanë publikuar rekomandime për mbrojtje nga sëmundjet që përcillen nëpërmjet ushqimit, transmeton Portalb.mk.

“Sëmundjet që transmetohen nëpërmjet ushqimit dhe ujit shfaqen pas konsumimit të ushqimit ose ujit të kontaminuar me agjensë infektiv ose toksik. Në pothuajse 90% të rasteve këto sëmundje shkaktohen nga bakteret, por ato mund të shkaktohen edhe nga agjensë të tjerë infektiv (viruse, parazitë). Sëmundjet më të shpeshta janë salmoneloza (Salmonella enteritidis) – që shfaqet pas konsumimit të vezëve, mishit ose produkteve të qumështit, të cilat nuk janë përpunuar mjaftueshëm termikisht, pastaj intoksikimi alimentar akut (Staphylococcus aureus) – që ndodh shpesh në verë kur temperaturat e larta mundësojnë riprodhim më të shpejtë të baktereve dhe rritje të prodhimit të enterotoksinave në ushqime me origjinë shtazore. Një sëmundje tjetër është kampilobakterioza (Campylobacter jejuni) – që zakonisht shfaqet si pasojë e konsumimit të mishit të pa gatuar ose të pa gatuar mirë të pulës, por jo të rralla janë edhe infeksionet me Escherichia coli, sidomos infeksioni enterohemoragjik (EHEC) që shfaqet pas konsumimit të mishit të pa gatuar mirë, qumështit të freskët dhe perimeve të pa gatuara mirë”, thuhet në njoftimin e IShP-së.

Një sëmundje tjetër është shigeloza dhe ethet tifoide (Shigella spp., Salmonella typhi), të cilat përcillen përmes ujit të kontaminuar dhe duarve të pista, si dhe hepatiti A, i cili përcillet përmes ujit të kontaminuar, frutave, perimeve ose midhjeve.

“Më të ndjeshëm ndaj intoksikimeve alimentare janë fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me imunitet të kompromentuar. Simptomat më të shpeshta që mund të shfaqen pas konsumimit të ushqimit dhe ujit të dyshimtë janë: të vjellat, diarreja, temperatura e lartë e trupit, dhimbjet e kokës dhe marramendja, çrregullimi i resorbimit të lëndëve ushqyese, dhimbje dhe ngërçe në stomak, si dhe infeksione shoqëruese të organeve të tjera. Nëse ndjeni ndonjë nga simptomat e lartpërmendura dhe keni dyshime se mund të keni konsumuar ushqim ose ujë të dyshimtë, drejtohuni tek mjeku juaj amë ose institucioni më i afërt shëndetësor”, këshillojnë nga IShP-ja.

Prandaj ata rekomandojnë që të ndiqen këshillat e ekspertëve, ndërsa qytetarët të konsumojnë ujë shëndetërisht të sigurt.

“Ruajtja e ushqimit të përgatitur në temperaturë ambienti, sidomos në muajt e nxehtë të verës, mundëson shumimin e shpejtë të agjensëve infektivë dhe sekretimin e toksinave të tyre, gjë që është dhe shkaku më i shpeshtë i sëmundjeve që burojnë nga ushqimi. Në muajt e verës dhe në situatat kur ka një ndërprerje në stabilitetin e sistemit të furnizimit me ujë të shoqëruar nga një mungesë periodike e ujit të pastër, rritet rreziku i shfaqjes dhe përhapjes së sëmundjeve të transmetuara përmes ushqimit dhe ujit të kontaminuar. Temperaturat e larta e përshpejtojnë kontaminimin dhe përhapjen e mikroorganizmave, ndërsa mungesa e ujit të pastër e bën të vështirë mirëmbajtjen e higjienës personale, përgatitjen dhe ruajtjen e ushqimit”, thonë nga IShP-ja.

Prandaj, ata rekomandojnë që t’i kushtohet vëmendje higjienës, mbrojtjes së kuzhinës dhe ushqimit nga insektet, kafshët dhe keqbërësit e tjerë, si dhe përgatitjen dhe përpunimin e duhur termik të ushqimit.

“Gjatë ringrohjes së ushqimit, ngroheni atë mirë dhe plotësisht. Shmangni përgatitjen dhe konsumimin e ushqimit nga produkte shtazore të freskëta, të papërpunuara termikisht (kremra, akullore, djathë krem, etj.). Përpunimi i ushqimit të papërpunuar, të papërpunuar termikisht dhe të përpunuar termikisht duhet të kryhet në sipërfaqe punuese të ndryshme, me vegla të ndryshme dhe në enë të ndryshme. Perimet, frutat dhe sallatat e freskëta duhet të lahen plotësisht me sasi të mjaftueshme të ujit – para konsumimit, copëtimit apo gatimit, madje edhe pasi t’i keni qëruar ato”, thuhet në rekomandimet e IShP-së.

Kujtojmë se periudhën e fundit vendi po përballet me temperatura shumë të larta, si rrjedhojë autoritetet vazhdimisht dalin me rekomandime. 

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP)Temperatura të larta