Në vendin ku jeta kushton pak

Brenda vetëm pak ditësh, qytetarët e këtij vendi mësuan se mund të rrezikohen edhe nga një gotë ujë, edhe nga një çati mbi kokë. Në Gostivar, mijëra njerëz përfunduan me shqetësime shëndetësore pasi uji i pijshëm u kontaminua. Në Shkup dhe në disa qytete të tjera, një stuhi e fuqishme shndërroi çatitë, llamarinat, degët dhe pjesët e fasadave në objekte që fluturonin mbi kokat e njerëzve.

Dy ngjarje të ndryshme, por me një emërues të përbashkët: jeta e njeriut në këtë vend vazhdon të trajtohet si diçka tepër e lirë.

Në Gostivar, sipas informacioneve të publikuara nga institucionet, në sistemin e ujësjellësit ishte futur ujë nga lumi, si një përpjekje për të përballuar mungesën e ujit gjatë verës, kur qyteti mbushet memrgimtarët që mezi i presin ato pak ditë për ti kaluar në vendlindje. Një improvizim i tillë, i ndërmarrë pa garancitë e domosdoshme profesionale dhe sanitare, u shndërrua në kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik. Mijëra qytetarë u sëmurën, përdorimi i ujit u ndalua dhe njerëzve iu desh të prisnin ujë të ambalazhuar për të përmbushur nevojën më elementare të jetës.

Hetimi duhet të përcaktojë saktësisht se kush e ka marrë vendimin, kush e ka zbatuar, kush ka qenë në dijeni dhe cilat institucione kanë dështuar ta zbulojnë me kohë. Por përgjegjësia nuk duhet të përfundojë me disa pezullime, arrestime apo deklarata të përgjithshme. Një incident që prek shëndetin e mijëra njerëzve kërkon përgjegjësi të plotë profesionale, juridike, politike dhe morale.

Duhet të hetohet i gjithë zinxhiri i kontrollit: kush e ka analizuar ujin, sa shpesh është analizuar, si është lejuar që uji i lumit të futet në rrjetin e ujësjellësit dhe pse reagimi institucional erdhi vetëm pasi spitali dhe ambulancat u mbushën me pacientë. Përgjegjësia penale është individuale, por dështimi institucional rrallëherë është vepër e vetëm një personi.

Megjithatë, historia nuk përfundon te pompa, tubacioni apo vendimi i gabuar. Duhet të pyesim edhe çfarë lloj uji kemi lënë të rrjedhë në lumenjtë tanë. Për vite me radhë kemi derdhur ujëra të zeza, mbetje dhe kanalizime në lumenj, duke i trajtuar ata si deponi të hapura. Pastaj, në çastin e parë të krizës, përpiqemi ta përdorim po atë ujë për nevojat e qytetarëve.

Nuk mund ta ndotim natyrën çdo ditë dhe, kur na nevojitet, të presim që ajo të na ofrojë ujë të pastër. Nuk mund t’i kthejmë lumenjtë në kanale fekale dhe pastaj të habitemi kur uji i tyre bëhet burim sëmundjeje. Fatkeqësia e Gostivarit është edhe pasojë e një kulture më të gjerë të papërgjegjësisë, në të cilën mjedisi trajtohet si diçka pa pronar, pa vlerë dhe pa pasoja për shëndetin tonë.

Një ditë më vonë, natyra e goditi Shkupin dhe qytete të tjera me erëra të fuqishme. Stuhitë nuk mund të ndalohen me vendim administrativ. Por pasojat e tyre mund të parandalohen ose të paktën të zvogëlohen. Kur çatitë shkëputen, fasadat bien, pemët rrëzohen mbi njerëz dhe automjete, pyetja nuk është vetëm sa e fuqishme ishte era. Pyetja është edhe në çfarë gjendjeje ishin ndërtesat, sa rregullisht kontrollohen konstruksionet, si mirëmbahen drurët dhe sa të përgatitura janë shërbimet për t’i paralajmëruar dhe mbrojtur qytetarët.

Natyra e shkakton stuhinë, por neglizhenca përcakton se sa e rrezikshme do të jetë ajo.

Në të njëjtën kohë, nuk mund të sillemi sikur njerëzimi është vetëm viktimë e këtyre proceseve. Për dekada kemi emetuar gazra serrë, kemi prerë pyje, kemi betonizuar hapësira të gjelbra, kemi ndotur ajrin, tokën dhe ujin dhe kemi shkatërruar ekuilibrat natyrorë. Ndryshimet klimatike nuk mund të lidhen automatikisht me çdo stuhi të veçantë, por ato krijojnë kushte në të cilat dukuritë ekstreme bëhen më të shpeshta, më intensive dhe më të paparashikueshme.

Fatkeqësitë që dikur konsideroheshin të rralla po ndodhin gjithnjë më shpesh dhe njëra pas tjetrës. Vera sjell thatësirë, mungesë uji dhe zjarre; më pas vijnë reshje të rrëmbyeshme, erëra shkatërruese dhe përmbytje. Njeriu e ka prishur marrëdhënien me natyrën dhe tani sillet i befasuar kur natyra nuk mund të absorbojë më pasojat e veprimeve të tij.

Megjithatë, përgjegjësia globale për klimën nuk mund të përdoret si arsyetim për papërgjegjësinë lokale. Ndryshimet klimatike mund ta sjellin stuhinë, por ato nuk e vendosin çatinë keq, nuk e ndërtojnë objektin pa standarde dhe nuk e lënë pemën e dëmtuar të bjerë mbi kalimtarët. Ndotja e përgjithshme mund ta shkatërrojë lumin, por ajo nuk e merr vendimin për ta lidhur ujin e tij drejtpërdrejt me sistemin e ujësjellësit.

Ne zakonisht reagojmë pasi dëmi është bërë. Shpërndajmë shishe uji pasi mijëra njerëz janë sëmurë. Dezinfektojmë rrjetin pasi uji i kontaminuar ka arritur në shtëpi. Pastrojmë rrugët pasi pemët dhe çatitë kanë rënë mbi qytetarët. Hapim hetime, formojmë shtabe dhe premtojmë kontrolle të reja. Pastaj presim incidentin e ardhshëm.

Çmimi i ulët i jetës njerëzore nuk matet vetëm me numrin e viktimave. Ai shihet në lehtësinë me të cilën institucionet rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve për shkak të improvizimit, kursimit, pakujdesisë apo mungesës së kontrollit. Shihet edhe në mënyrën se si ne, si shoqëri, i ndotim burimet nga të cilat varet jeta jonë, duke menduar se pasojat gjithmonë do t’i bartë dikush tjetër.

Në një shtet që e vlerëson jetën, çezma nuk mund të jetë lojë fati dhe çatia nuk mund të shndërrohet në predhë. Lumi nuk mund të jetë njëkohësisht kanalizim dhe rezervë uji. Përgjegjësia nuk duhet të fillojë pasi mbushen spitalet. Ajo duhet të ekzistojë shumë më herët – në çdo kontroll, në çdo analizë, në çdo leje, në çdo ndërtim dhe në çdo vendim nga i cili varet siguria e njerëzve.

Sepse një shtet nuk tregon sa e çmon jetën e qytetarëve vetëm kur përpiqet t’i shpëtojë pas fatkeqësisë. E tregon, para së gjithash, duke mos lejuar që institucionet, papërgjegjësia dhe mosrespekti ynë ndaj natyrës t’i vënë ata vazhdimisht në rrezik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Besa ArifiKolumnat e Portalbit