Në vend të komenteve të pabazuara, nga Bullgaria presim sjellje evropiane, respekt dhe njohje të gjuhës maqedonase, delaroi Ministria

Shqetësues është fakti që, në vend që të mirëpritet si një hap konstruktiv përpara, Projekt-Plani i veprimit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve është objekt i komenteve abstrakte dhe të pabazuara nga Bullgaria, gjë që nuk kontribuon për ndërtimin e besimit dhe mirëbesimit midis dy vendeve, reagojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, duke theksuar se “në vend të komenteve të pabazuara, nga fqinji ynë presim sjellje evropiane, përfshirë edhe në aspektin e respektimit dhe njohjes së plotë të gjuhës maqedonase”, raportoi MIA.

“Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar ndaj rregullave evropiane dhe qasjes së bazuar në meritë ndaj zgjerimit. Propozim-plani i veprimit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të anëtarëve të komuniteteve është hartuar në gjuhën maqedonase dhe angleze nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, në konsultim të ngushtë me Këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian. Dokumenti përmban masa, afate dhe institucione kompetente të përcaktuara qartë dhe është plotësisht në përputhje me standardet më të larta evropiane, thuhet në kumtesën e MPJdheTJ pas reagimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë ndaj deklaratës së djeshme të kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski se “Bullgarisë i pengon gjuha maqedonase në Planin e veprimit për minoritetet.

Procesi i përgatitjes së Propozim-planit të Veprimit, siç theksojnë nga MPJdheTJ, u zhvillua në disa faza, duke filluar në vitin 2023, me ç’rast përpunimi përfundimtar u intensifikua në gjashtë muajt e fundit të vitit 2025, dhe gjatë gjithë procesit, u përfshinë në mënyrë aktive dhe u konsultuan rregullisht ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë në fushën e së drejtës ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave, ndërsa Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian theksuan se dokumenti mbulon të gjitha standardet përkatëse evropiane dhe ndërkombëtare.

“Theksojmë se Republika e Maqedonisë së Veriut është njohur si një shembull pozitiv në nivel evropian në zbatimin e të drejtave të komuniteteve dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Ne mbetemi të përkushtuar fuqimisht ndaj barazisë, përfshirjes dhe zbatimit efikas të politikave në interes të të gjithë qytetarëve tanë”, theksohet në kumtesën nga MPJdheTJ.

Ndryshe, viti 2025 ishte një nga periudhat më stagnuese për rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut. Megjithëse Bashkimi Evropian e përsëriti se dera për zgjerim mbetet e hapur, procesi i anëtarësimit të vendit mbeti i ngrirë për shkak të mosrealizimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mosmarrëveshjeve të thella me Bullgarinë. Diskutimi për BE-në u shndërrua nga një projekt shtetëror në një temë përplasjeje të ashpër politike, ku identiteti, gjuha dhe garancitë evropiane dominuan debatin publik. Eksponentët qeveritarë patën vetëm fjalë ndërsa në fund të vitit, Maqedonia e Veriut nuk arriti asnjë hap konkret drejt hapjes së kapitujve negociues, duke mbetur prapa Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Pavarësisht kësaj, vendi nuk e ka ndërmend të ndërmarrë asnjë hap më tutje pa garanci, BE-ja nuk ofron një gjë të tillë, ndërsa Bullgaria thotë se nuk ka kushte tjera, por pala maqedonase është skeptike. Këto ishin ngjarjet kryesore në 2025 në rrugën eurointegruese të RMV-së.

Kujtojmë se gjatë vitit 2024, rruga eurointegruese e Maqedonisë së Veriut u karakterizua nga dinamika të reja politike dhe diplomaci intensivisht të tensionuar, sidomos pas gjysmës së dytë të vitit. Qeveria e kaluar kishte ndjekur një qasje të fokusuar në plotësimin e kushteve të BE-së, përfshirë ndryshimet kushtetuese për njohjen e pakicës bullgare, një kërkesë që shkaktoi tensione të brendshme politike dhe shoqërore. Megjithatë, qeveria paraprake nuk i kishte numrat për t’i bërë ndryshimet kushtetuese, ndërsa zgjedhjet parlamentare ishin në prag. Më 8 maj 2024, partia në pushtet LSDM, pësoi debakël, duke humbur në të dy palë zgjedhjet, presidenciale dhe parlamentare. Pas ardhjes në pushtet të Hristijan Mickoskit dhe qeverisë së re, u propozua një strategji ndryshe. Mickoski deklaroi synimin për të ndryshuar Kornizën Negociuese të BE-së për të kufizuar kërkesat bilaterale dhe për të shtyrë zbatimin e ndryshimeve kushtetuese deri pas anëtarësimit të plotë. Ky propozim sipas tij, synon të mbrojë sovranitetin kombëtar, por gjithashtu ka krijuar një situatë të pasigurt për marrëdhëniet me Brukselin. Nga ana tjetër, Shqipëria e cila ishte në të njejtën pozitë si RMV-ja, eci përpara duke hapur negociatat me BE-në.

 

BullgariaEurointegrime Negociata RMV-BEMarrëveshja me BullgarinëMinistria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ)