Në shtator do të ketë rreth 4.900 nxënës të klasës së parë më pak se vitin e kaluar. Këtë e ka bërë të ditur sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke shtuar se kjo shifër nuk është përfundimtare, transmeton Portalb.mk.
“Numri i studentëve po zvogëlohet, duke pasur parasysh se kemi gjithnjë e më pak nxënës edhe në shkollat fillore dhe të mesme. Këtë vit numri i nxënësve në shkollat e mesme është ulur, por jo në mënyrë drastike. Këto shifra nuk janë përfundimtare, sepse kemi edhe afatin e tretë të regjistrimit në gusht, por numri në shkollat fillore është ulur ndjeshëm dhe jemi në një përqindje me mbi 4.000 fëmijë më pak se vitin e kaluar”, tha Janevska.
Megjithatë ajo theksoi se shifra nuk është përfundimtare sepse ende do të regjistrohen nxënës.
“Më vjen keq që duhet ta them, por ky është fakt, këtë e ka publikuar edhe Enti i Statistikave. Bëhet fjalë për rreth 4.900 nxënës të klasës së parë më pak nga viti i kaluar deri këtë vit. Sado që të regjistrohen, edhe nëse regjistrohen edhe dy mijë të tjerë, do të kemi së paku 3.000 nxënës të klasës së parë më pak. Këtë trend e presim edhe vitin e ardhshëm, gjë që është dëshpëruese për këtë vend”, tha Janevska.
Statistikat tregojnë se që nga viti 2015 e këndej, numri i nxënësve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për mbi 28 mijë. Ndërkaq në pesë vitet e fundit, 30 shkolla janë mbyllur në mbarë vendin.
- LEXO: RMV, po shqyrtohet mundësia e mbylljes së shkollave periferike ku ka pak nxënës
- LEXO: Nga 1 shtatori, 8 nga gjithsej 24 shkolla fillore vetëm në një qytet të RMV-së pritet të mbyllen
Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.