Në prag të raportit të ri të KE-së: Ku ngeci Maqedonia e Veriut dhe çfarë kërkon Brukseli

Maqedonia e Veriut ndodhet në prag të vlerësimit vjetor nga Brukseli. Raporti i kaluar nuk ishte ndonjë risi për vendin. Asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe rruga eurointegruese kishte ngecur, dhe as tani nuk është se ka ndryshuar. Në pritje të raportit, disa nga kërkesat kryesore të Brukselit nga raporti i kaluar ende nuk janë përmbushur. Ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, miratimi i një Kodi të ri Penal, forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe reformat në drejtësi mbeten ndër çështjet kryesore në të cilat vendi është përballur me vërejtje, raporton Portalb.mk.

Sipas raportit të vitit 2025, Maqedonia e Veriut nuk kishte shënuar përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, ndërsa korrupsioni vazhdonte të mbetej i përhapur në shumë fusha dhe përbënte shqetësim serioz. Komisioni vlerësoi se rastet e korrupsionit të nivelit të lartë shpesh zvarriten, arrijnë parashkrimin ose përfundojnë me dënime minimale.

Një nga çështjet më të dukshme është ndryshimi i Kushtetutës. Maqedonia e Veriut ende nuk i ka miratuar ndryshimet me të cilat bullgarët dhe komunitetet e tjera do të përfshiheshin në preambulën e Kushtetutës. Eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos, në shtator 2026 përsëriti se Shkupi duhet ta përmbushë këtë premtim, duke e lidhur atë me vazhdimin e procesit eurointegrues.

Kjo kërkesë është pjesë e kushteve të dakordësuara në kuadër të procesit të nisur në vitin 2022. Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 konstatoi se nuk ishin ndërmarrë përpjekje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese të përmendura në konkluzionet e Këshillit të BE-së të 18 korrikut 2022.

“Vendi nuk bëri përpjekje për të miratuar ndryshimet përkatëse kushtetuese të përmendura në konkluzionet e Këshillit të 18 korrikut 2022, të cilat vendi u zotua t’i nisë dhe t’i miratojë, me qëllim që “të sigurohet që Kushtetuta të përfshijë qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë, siç janë bullgarët”, thuhej në raportin e vitit të kaluar.

Edhe në fushën e drejtësisë, një nga kërkesat kryesore të Brukselit ende nuk është përmbushur plotësisht. Komisioni Evropian kërkoi miratimin e një Kodi të ri Penal në përputhje me acquis-in e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Në shkurt 2026, Komiteti i Stabilizim-Asociimit i BE-së dhe Maqedonisë së Veriut theksoi se përgatitja e Kodit të ri Penal ishte ende në proces.

Ndërkohë, në janar 2026 Kuvendi miratoi ndryshime në Kodin Penal, por ato nuk përbëjnë Kodin e ri gjithëpërfshirës të kërkuar nga Brukseli. Sipas vlerësimit të vitit 2026, ndryshimet e miratuara paraqesin mangësi krahasuar me kornizën e mëparshme ligjore, ndërsa reforma gjithëpërfshirëse e Kodit Penal është ende në përgatitje.

Një tjetër fushë ku reformat kanë mbetur pezull është Kodi Zgjedhor. Në shtator 2026, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, deklaroi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë ende në fazën e negociatave mes partive politike. Ai tha se përpjekjet për miratimin e tyre vazhdojnë pas ndryshimeve në Ministrinë e Drejtësisë.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi Komisioni Evropian dhe institucionet evropiane kanë kërkuar që vendi të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias lidhur me reformën zgjedhore. Në shkurt 2026, Komiteti i Stabilizim-Asociimit përsëriti nevojën për adresimin e rekomandimeve të mbetura për reformën zgjedhore.

Brukseli kërkon gjithashtu rezultate konkrete në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Në raportin e vitit 2025, KE-ja vlerësoi se këto raste shpesh përballen me vonesa, arrijnë parashkrimin ose përfundojnë me dënime minimale. Komisioni kërkoi hetime dhe ndjekje më të shpejtë e profesionale, dënime përfundimtare dhe rikuperim të pasurisë së përfituar përmes veprave penale.

Në gjyqësor, raporti i fundit i Komisionit Evropian konstatoi mungesë përparimi. Komisioni kërkoi, ndër të tjera, përshpejtimin e Strategjisë për Reformën Gjyqësore 2024–2028, forcimin e Këshillit Gjyqësor dhe rritjen e transparencës dhe pavarësisë së tij.

Gjatë vitit 2026, përkatësisht në fund të 2025, janë ndërmarrë disa hapa, përfshirë miratimin e një Ligji të ri për Këshillin Gjyqësor. Megjithatë, vlerësimi evropian vazhdon të evidentojë probleme me pavarësinë e gjyqësorit, burimet financiare dhe mungesën e kuadrit profesional. Sipas vlerësimit të vitit 2026, mungesa e stafit në gjyqësor është përkeqësuar dhe nuk ka kandidatë të rinj në trajnimin fillestar për gjyqtarë dhe prokurorë.

Sidoqoftë, jo të gjitha rekomandimet kanë mbetur pa lëvizur. Në shkurt 2026, Komiteti i Stabilizim-Asociimit evidentoi përparim në disa nga kriteret për hapjen e klasterit të parë, përfshirë përgatitjen e udhërrëfyesve për reformën e administratës publike dhe sundimin e ligjit. Po ashtu, Komisioni Evropian ka evidentuar përparim në digjitalizim dhe në disa fusha të Agjendës Reformuese.

Në shtator 2026, Qeveria miratoi edhe ndryshime në Ligjin për Prokurimet Publike, të cilat janë pjesë e Agjendës Reformuese.

Mirëpo, propozim-ndryshimet e Ligjit për Prokurime Publike në Maqedoninë e Veriut në shikim të parë sjellin korrigjime teknike, pragje më të larta të vlerave dhe më shumë digjitalizim. Por, pas këtyre ndryshimeve fshihen disa ndryshime qenësore në mënyrën se si shteti do mund të shpenzojë para publike, dyfishohet hapësira për prokurime pa tender, hiqet një nga kontrollet paraprake te kontratat me negociim pa shpallje, ndërsa në të njëjtën kohë shtrenjtohet ndjeshëm procedura e ankimimit.

Megjithatë, bëhet fjalë për ndryshime të propozuara që duhet të kalojnë procedurat e mëtejshme ligjore.

Prandaj, raporti i ri i Komisionit Evropian do të vijë në një moment kur disa prej kërkesave të raportit të kaluar janë ende të hapura: Kushtetuta nuk është ndryshuar, Kodi i ri Penal nuk është miratuar, reforma zgjedhore është ende në negociata, zbatimi i strategjisë kundër korrupsionit ka mbetur i ulët dhe pengesa të tjera. Në të njëjtën kohë, janë ndërmarrë hapa në disa fusha, çka e bën raportin e ri një test për atë se sa nga këto hapa do të konsiderohen përparim konkret dhe sa prej rekomandimeve të vjetra do të mbeten ende në listën e detyrave të papërfunduara.

Eurointegrime Negociata RMV-BERaporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për Maqedoninë