Pas ndryshimit në Ministrinë e Drejtësisë, tashmë ka përpjekje për miratimin e Kodit Zgjedhor, megjithatë ende është në fazën e negociatave – deklaroi sot zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, i pyetur se deri ku ka arritur miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, por edhe në Kodin Penal, të cilat janë pjesë e detyrimeve që vendi duhet t’i përmbushë në kuadër të Agjendës së Reformave, transmeton Portalb.mk.
“E dini se Kodi Zgjedhor u pranua njëzëri nga disa parti politike që janë pjesë e Kuvendit, por në momentin e fundit u tërhoqën dy parti politike, të cilat nuk i mbështetën këto ndryshime. Pas ndryshimit në Ministrinë e Drejtësisë, tashmë ka përpjekje për miratimin e këtij ligji, megjithatë ende është në fazën e negociatave“, deklaroi Sali para fillimit të takimit të kryenegociatorëve dhe përfaqësuesve përgjegjës për integrimin evropian nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, si dhe nga Komisioni Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë.
I pyetur nëse pushteti ka hequr dorë nga Kodi Penal, Sali tha se ministri i ri i Drejtësisë është i përkushtuar edhe ndaj këtij ligji, por se bëhet fjalë për ligje që kërkojnë konsensus më të gjerë dhe mbështetje në disa nivele.
“Ne jemi shumë të përkushtuar ndaj agjendës së reformave, e cila është pjesë e procesit të integrimit, dhe i përmbushim hapat tanë në kohë. Po punojmë për paketën e re, në të cilën ne jemi një shtet top-up, ku pritet të kemi hapa shtesë në agjendën e reformave. Tashmë kemi propozuar 25 pika që shteti është i gatshëm t’i realizojë në kuadër të këtyre reformave. Pritet që Komisioni Evropian të na konfirmojë nëse pajtohet me këta hapa apo ka kërkesa shtesë ose të tjera“, tha Sali.
Zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane theksoi se vendi dhe shtetet e tjera kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet ta përshpejtojnë procesin e reformave përmes punës së koordinuar ndërmjet qeverive, parlamenteve dhe aktorëve politikë. Ai tha se të gjitha shtetet presin që procesi i zgjerimit të jetë transparent, i bazuar në merita dhe në rezultate reale të integrimit, të cilat kontribuojnë për funksionim më të mirë të institucioneve, stabilitet financiar dhe siguri më të madhe.
“Nuk ka shkurtim apo lehtësim të procesit, por po mendohet për përshpejtimin e tij. Pyetja është nëse mund ta përshpejtojmë së bashku procesin që zgjat prej vitesh dhe ta realizojmë për dy”, porositi Sali.
Ndryshe, mosmiratimi i Kodit Zgjedhor lë ende të paqartë fatin e 4.28 milionë eurove të lidhura me këtë reformë në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Në përgjigjet për Portalb.mk muajin e kaluar, Ministria e Çështjeve Evropiane nuk sqaroi nëse këto mjete janë humbur përfundimisht e as nuk garanton se ato mund të kërkohen dhe të disbursohen në një fazë të mëvonshme.