Në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut janë paraqitur nëntë raste për dhunë në familje, për çka janë kryer shtatë arrestime. Policia ka paralajmëruar zbardhjen e rasteve dhe kallëzime penale, transmeton Portalb.mk.
Në Prilep u arrestua 53 vjeçari për dhunë ndaj bashkëshortes, një 34 vjeçar ka sulmuar bashkëshortin 53 vjeçar në Negotinë dhe po në Negotinë, një 35 vjeçar u arrestua pasi në bankë e ka kërcënuar nënën 66 vjeçare. Në Dibër u arrestua 33 vjeçari pasi ka sulmuar ish-bashkëshorten dhe nënën e saj.
Policia ka arrestuar edhe 26 vjeçarin nga Shtipi nën dyshimet për dhunë ndaj 20 vjeçares, dhe po në Shtip u arrestua 23 vjeçari për sulm fizik ndaj 24 vjeçares.
Në stacionet policore janë raportuar edhe raste, ku një 41 vjeçar është sulmuar nga bashkëshortja 37 vjeçare, ndërsa një 71 vjeçar në Shkup e ka raportuar djalin se e ka sulmuar atë dhe vajzën e tij. Bisedë zyrtare u zhvillua edhe me 40 vjeçarin nga Kumanova nën dyshimet se ka kërcënuar familjarët.
Ndryshe, për shkak të këtyre rasteve, MPB po përgatit ndryshime në ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, kryesisht në seksionin mbi masat urgjente dhe të përkohshme. Sipas njoftimit të ministri Pançe Toshkovski në fund të prillit, kjo përfshin futjen e një autoriteti të ri policor me të cilin një zyrtar i policisë, bazuar në një vlerësim të rrezikut, do të jetë në gjendje të lëshojë menjëherë një masë urgjente për të mbrojtur viktimën, d.m.th. ta largojë abuzuesin nga shtëpia, ta ndalojë atë të afrohet dhe ta ndalojë atë të kontaktojë me viktimën.
Tragjedia e 2 marsit 2026, në të cilën një grua nga Shkupi dhe vajza e saj gjashtëvjeçare vdiqën pasi ranë nga një ballkon në Shkup pas shumë vitesh dhunë në familje, rihapën temën e përgjegjësisë së institucioneve që supozohet të mbrojnë viktimat. Ministria e Brendshme kishte regjistruar disa raportime për marrëdhënie të prishura ndërpersonale dhe sulme fizike mes bashkëshortëve.