Qendra për Komunikim Qytetar (QKQ), së bashku me organizatat partnere Qendrën e Qytetarëve Aktivë AKTIVO dhe Shoqatën e Këshilltarëve Tatimorë të RM-së, publikoi Dokumentin e politikave publike për përmirësimin e përdorimit të informacioneve për pronarët përfitues në luftën kundër korrupsionit, transmeton Portalb.mk.
Edhe pse vendi ka krijuar Regjistrin e Pronarëve Përfitues që nga viti 2021, hulumtimet kanë treguar se ai ende përbën vetëm një mekanizëm formal për përmbushjen e detyrimeve ligjore, në vend që të shërbejë si instrument për zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit. Të dhënat nga regjistri përdoren shumë pak jashtë fushës së parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, mungon verifikimi i saktësisë së tyre, ndërsa ekzistojnë edhe mospërputhje të konsiderueshme me deklaratat e pasurisë dhe interesave që funksionarët publikë i dorëzojnë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Për më tepër, qasja e kufizuar dhe e kushtueshme në këto të dhëna e vështirëson mbikëqyrjen publike nga qytetarët, mediat dhe sektori civil.
Për të kapërcyer këto dobësi sistemike, propozohet ndërmarrja e ndryshimeve ligjore dhe përmirësimi i praktikave aktuale:
– Zgjerimi i përfshirjes, përmes uljes së pragut aktual prej 25% për pronësinë e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, përcaktimit të përfshirjes në grup për personat e ndërlidhur dhe verifikimit të detyrueshëm kur si pronar përfitues është regjistruar një avokat, kontabilist ose këshilltar tatimor.
– Qasje më e mirë dhe më e lirë, përmes mundësimit të qasjes falas ose dukshëm më të lirë në të dhëna, në format të lexueshëm nga makinat, për qytetarët, gazetarët dhe organizatat qytetare, duke futur në legjislacion kategorinë „interes i ligjshëm publik“.
– Verifikim dhe sanksione më të forta, përmes vendosjes së verifikimit të detyrueshëm të të dhënave për subjektet me rrezik të lartë (funksionarët, kontraktuesit e mëdhenj publikë dhe koncesionarët), sistemeve të automatizuara për identifikimin e „flamujve të kuq“ dhe sanksioneve parandaluese për të dhënat e rreme ose jo të plota.
– Përdorim i detyrueshëm institucional, përmes vendosjes së një detyrimi të qartë për institucionet që t’i përdorin sistematikisht këto të dhëna gjatë vlerësimit të konfliktit të interesit, auditimeve dhe hetimeve.
– Ndërlidhja e bazave të të dhënave, përmes ndërveprimit teknik dhe kryqëzimit automatik të Regjistrit të Pronarëve Përfitues me sistemet e KSHPK-së, bazat e të dhënave për prokurimet publike, koncesionet, subvencionet, ndihmën shtetërore, Kadastrën, Doganën dhe Thesarin.
– Parandalimi i konfliktit të interesit te funksionarët, përmes zgjerimit të rrethit të personave të afërt për të cilët funksionarët duhet të deklarojnë pasurinë dhe interesat, marrjes automatike të të dhënave nga Regjistri Qendror gjatë plotësimit të formularëve të deklarimit të pasurisë dhe publikimit të detyrueshëm të pronarëve përfitues të kompanive që fitojnë tenderë, koncesione dhe kontrata për partneritet publiko-privat (PPP).
– Analizë proaktive e rreziqeve, përmes zhvillimit të indikatorëve të rrezikut dhe publikimit të raporteve analitike vjetore, me qëllim ndërmarrjen e masave parandaluese në sektorët e prirë ndaj korrupsionit.
– Mbështetje për monitorimin qytetar, përmes njohjes së gazetarëve hulumtues dhe organizatave qytetare si përdorues kyç, krijimit të mekanizmave për raportimin e pasaktësive në regjistër dhe sigurimit të mbrojtjes ligjore për përdorimin e të dhënave në interes publik.
Dokumenti i politikave publike është përgatitur në bazë të dy analizave paraprake hulumtuese, standardeve ndërkombëtare, si dhe përfundimeve nga konsultimet me institucionet kryesore.
Regjistri i pronarëve të vërtetë u vu në përdorim më 27 janar të vitit 2021, ndërsa të dhënat prej tij janë të qasshme nga 27 prilli i vitit 2021 e këndej. Por, të dhënat nga regjistri nuk janë plotësisht të hapura për publikun, por janë të qasshme përmes një procedure zyrtare dhe me pagesën e tarifës. Prandaj, qëllimi i zotimit është që këto informacione të jenë më lehtësisht të qasshme dhe të mund të lidhen me të dhënat për prokurimet publike dhe kontratat e tjera me shtetin. Edhe pse në faqen zyrtare për monitorimin e Planit aksionar kombëtar zotimi është shënuar si “i përfunduar”, në vetë arsyetimin e tij thuhet se zgjidhja e paraparë e adreson problemin vetëm pjesërisht.