Flamuri me diellin e Vergjinës edhe pse i ndaluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas Marrëveshjes së Prespës, këto ditë është vendosur në disa shtylla nëpër rrugët e Tetovës, shkruan Portalb.mk.
Me rastin e 35 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, nëpër rrugët e qytetit krahas flamurit shtetëror, është vendosur edhe flamuri me diellin e Vergjinës.
Nuk dihet se kush qëndron prapa këtij veprimi.
Nga Komuna e Tetovës nuk përgjigjen nëse këto flamuj janë vendosur me lejen e tyre, nëse do largohen dhe pse nuk ka flamur Shqiptar në këto shtylla.
Fotografi nga vendosja e këtye flamujve në qytet ka shpërndarë këshilltari komunal nga VMRO-DPMNE, Angell Karapetrov.
“Tetova në veshje festive. Qyteti shkëlqen në prag të 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë. Tetova feston, Tetova gëzohet, Tetova e do Maqedoninë”, shkroi në Facebook Karapetrov.
Lidhur me këtë rast ka reaguar këshilltari komunal i Lidhjes Shqiptare, Arlind Murtezani i cli thotë se Komuna e Tetovës e anashkalon flamurin Shqiptar, që ligji e obligon, ndërsa e lejon flamurin me diellin e Vegjinës me 16 rreze, që Marrëveshja e Prespës e ndalon.
“Për festën shtetërore, në bulevardet e Tetovës mungon flamuri shqiptar, ndërsa vendoset simboli i Diellit të Verginës me 16 rreze, flamur që përdoret nga qarqet nacionaliste maqedonase dhe është i ndaluar. Kjo nuk është më çështje dekorimi. Është çështje përgjegjësie politike dhe ligjore. Ndërkohë, përdorimi i flamurit të komunitetit në komunat ku ai është shumicë parashikohet me ligj”, tha Murtezani.
Kujtojmë se periudhën e fundit flamuri me diellin e Vergjinës është përdorur në disa hapsira publike dhe ngjarje partiake për të cilat Portalb.mk ka raportuar. Ky flamur ishte ngritur përballë Gjykatës në Kumanovë, më pas deputetja e VMRO-DPMNE-së Dragana Bojkovska mbajti tubim partiak ku në mur shihej harta e “Maqedonisë së Madhe”, e ngjyrosur me diellin e Vergjinës. Ky flamur vazhdon të valojë edhe në vendbanime tjera të banuara kryesisht me popullatë maqedonase.
Detyrimi ligjor për mospërdorimin e ish flamurit shtetëror të Maqedonisë së Veriut, me diellin e Vergjinës në mes, del nga neni 8 paragrafi 3 i Marrëveshjes së Prespës, i cili thotë:
“Pala e dytë nuk do ta përdorë përsëri në çfarëdo lloj mënyre dhe në çfarëdo lloj forme simbolin e paraqitur në flamurin e saj shtetëror. Në afat prej gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, Pala e dytë do ta nisë procedurën për heqjen e simbolit të paraqitur në flamurin e saj të mëparshëm shtetëror nga të gjitha vendet publike dhe nga përdorimi publik në territorin e sajë. Artefaktet arkeologjike nuk janë të përfshira në këtë dispozitë”.
Marrëveshja e Prespës, në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, është nënshkruar më 17 qershor 2018, në fshatin e vogël Nivici (Psarades) në bregun e liqenit të Prespës në anën greke.
Kujtojmë se, Marrëveshja e Prespës, i ka dhënë fund një kontesti plot 27 vjeçar mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Kontest që vendin tonë e ka penguar në rrugëtimin euroatlantik për afro tre dekada, pasi që Greqia pretendonte se emri dhe flamuri i shtetit të Maqedonisë janë simbole greke dhe se në të ardhmen Maqedonia mund të ketë pretendime territoriale ndaj një rajonit të saj, e cila gjithashtu quhet Maqedoni.
- LEXO: Flamuri i ndaluar dhe harta provokuese: VMRO-DPMNE i kthehet simboleve që nxisin tensione me fqinjët, a po përgatisin kthim në të kaluarën?
- LEXO: Deputetja e VMRO-së “harron” fqinjësinë e mirë, me hartën e ‘Maqedonisë së Madhe’ dhe diellin e Virgjinës mban takim partiak
- LEXO: Në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës flamuri me diellin e Vergjinës valon përkrah flamurit të Komunës së Kumanovës (FOTO)