Edhe pse gjatë fushatës zgjedhore politikanët ishin plot premtime për të rinjtë, në gjysmën e mandatit qeverisës shumica e masave kanë mbetur vetëm në nivelin e premtimeve, pa u realizuar ende, transmeton Portalb.mk nga Slloboden Peçat.
Qendër rinore në çdo qytet, mundësi që çdo student të punojë me kohë të pjesshme, 5.000 trajnime për aftësi digjitale, zbritje për teatër, autobusë dhe gara sportive… Partia në pushtet premtoi shumë gjëra në fushatën zgjedhore të vitit 2024 për ta fituar elektoratin rinor, por dy vjet më vonë, në gjysmë të mandatit, pushteti ekzekutiv e ka lënë fushën e “rinisë” poshtë në listën e prioriteteve.
Këtë e tregon analiza “Kоmpas“ e një grupi organizatash, e cila zbulon se nga 31 premtime të monitoruara për të rinjtë, vetëm katër janë realizuar, pesë janë drejt realizimit, ndërsa 22 nuk janë realizuar fare.
Qeveria deri më tani e ka realizuar premtimin e saj për vauçerë prej 250 eurosh për pajisje elektronike, e ka nisur projektin “Blej një shtëpi për të rinjtë”, si dhe e ka themeluar Ministrinë e Politikave Sociale, Demografisë dhe të të Rinjve dhe Qendrën për hulumtimin e çështjeve për të rinjtë, e cila është pjesë e vetë ministrisë.
“Disa masa janë në rikverc”
Sipas Risto Saveskit nga Forumi Rinor Arsimor (FRA), Ministria e të Rinjve është larg të qenit e përfunduar dhe ka nevojë për kuadro shtesë për të qenë më efektive, ndërsa “disa masa po kthehen në rikverc”.
“Premtimi për 70.000 vende të reja të punës për të rinjtë është larg realizimit. Shkalla e punësimit të të rinjve (15-29 vjet) në tremujorin e parë të vitit 2026 ra në 34,6 përqind, pasi kishte arritur në 36,1 përqind në vitin 2025. Pra, pas vitit të parë të mandatit kishte rreth 7.000, dhe tani janë minus 9.600 të rinj të punësuar. Edhe më shqetësuese është se në vitin 2025 nuk është realizuar asnjë trajnim për aftësi digjitale, pas 735 të rinjve të trajnuar në vitin 2024”, tha përfaqësuesi i FRA, organizatë e përfshirë në analizë.
Nga premtimet kryesore nuk është zhvilluar as i ashtuquajturi “Aplikacioni-M për standardin rinor”. Ai u njoftua zëshëm me premtimin se do të ofronte zbritje për të rinjtë në institucionet kulturore, në transportin publik dhe hekurudhor, për garat sportive, etj.
“Aplikacioni i tillë mungon dhe nuk po bëhet asnjë punë për internet falas në konviktet studentore dhe të nxënësve, leximoret, qendrat rinore. Ne nuk i shohim këto premtime si luks, por më tepër si një kusht që të rinjtë të kenë qasje më të mirë në arsim dhe shërbimet e institucioneve”, thekson Saveski.
Ligjet dhe strategjitë mbeten në letër
Kryetari i Forumit Rinor Arsimor thotë se jetojmë në një vend me ligje dhe strategji të mira, por, ato mbeten në letër.
“Shembulli më i mirë për këtë është premtimi për hapjen e 42 qendrave lokale rinore. Deri në fund të vitit 2025 ka vetëm 14 qendra të tilla (në të gjithë Maqedoninë). Në disa rajone ato hapen, në të tjera mbyllen. Numri stagnon. E njëjta gjë po ndodh me të ashtuquajturit këshilltarë për karrierë, të cilët mbeten vetëm në letër”, thekson Saveski.
Të rinjtë nuk u bënë as me e-biblioteka në fakultete, nuk patën mundësi të punonin me kohë të pjesshme, e as institucionet nuk hapën dyert e tyre për punë praktike dhe vullnetare.
“Hulumtime të shumta tregojnë se të rinjtë janë apatikë, të painteresuar për tu përfshirë në proceset shoqërore, kështu që pyesim veten se si do të ndodhë kjo nëse ata nuk kanë fare qasje në to?”, pyet Saveski.
Jo gjithçka është kaq e zymtë… në arsim
Analiza e “Kompas” tregon se në arsim ka ndryshime më të mëdha, edhe pse organizatat e ndajnë atë nga sektori i “rinisë”. Në këto dy vite të mandatit Qeveria ka realizuar 12 premtime (32 përqind), 22 (58 përqind) janë drejt realizimit, dy nuk janë realizuar, ndërsa për të tjerat nuk ka të dhëna.
Ana Mickovska-Raleva nga Qendra për Edukim Qytetar e Maqedonisë (QEQM) thekson se arsimi dual është ndoshta historia më e suksesshme.
“Numri i kompanive të përfshira në mësim praktik është rritur nga 560 në vitin 2024 në 875 në vitin 2026, me mbështetjen e shtatë qendrave rajonale. Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuara dhe grupeve të cenueshme po merr mbështetje të vërtetë buxhetore, fondet pothuajse janë dyfishuar (nga 520 në 927 milionë denarë), ndërsa numri i asistentëve arsimorë është rritur nga 1.015 në 1.478”, thekson Mickovska–Raleva, edhe pse аnaliza e “Slloboden Peçat” tregoi se shifrat e këtilla jo gjithmonë e pasqyrojnë gjendjen reale, sepse në rajone të caktuara ka suficit, e diku deficit të asistentëve, ndërsa disa fëmijë me zhvillim atipik morën mbështetje arsimore me vonesë dhe nuk u përfshinë në procesin mësimor.
Pavarësisht faktit se buxheti për konviktet studentore u rrit – 489 milionë denarë të planifikuar për vitin 2026, krahasuar me vetëm 31 në vitin 2024, sërish reforma e thellë në arsimin e lartë mbetet e bllokuar.
Siç shpjegon Mickovska–Raleva ligjet e reja për arsimin e lartë ende nuk janë miratuar dhe pa to nuk mund të realizohet as puna praktike e detyrueshme, as diplomat e dyfishta, as konkurrueshmëria ndërkombëtare.
“Buxheti për shkencë po rritet nominalisht, por shpenzimet e përgjithshme për hulumtim dhe zhvillim mbeten vetëm 0,36–0,40 përqind të PBB-së, që është shumë larg 1 përqindëshit të planifikuar. Në të njëjtën kohë, pavarësisht të gjitha zhvillimeve pozitive, buxheti për arsimin ende nuk e ka arritur pragun e premtuar prej 5 përqind të PBB-së, por mbetet në 3,8 përqind”, konstaton ajo.
Sipas, raportit “Kompasi i Premtimeve të Qeverisë”, i përgatitur nga Finance Think në bashkëpunim me Forumin Rinor Arsimor dhe Lidhjen e Mjekëve të Maqedonisë, vetëm 18 përqind e premtimeve të Qeverisë janë realizuar plotësisht gjatë dy viteve të para të mandatit, ndërsa gati 40 përqind nuk kanë shënuar asnjë përparim. Raporti evidenton dallime të konsiderueshme mes sektorëve, me arsimin në krye për nga realizimi i premtimeve, ndërsa politikat sociale, barazia gjinore dhe disa objektiva ekonomike vazhdojnë të mbeten larg përmbushjes,