Në Maqedoninë e Veriut është konstatuar se është rritur sipërfaqja e shtëpive që ngrohen, ndërsa druri vazhdon të mbetet burimi kryesor i energjisë. Rritje më të madhe ka përdorimi i inverterëve, ashtu që janë regjistruar rreth 300 mijë njësi, transmeton Portalb.mk.
“Është vërejtur rritje e sipërfaqes mesatare të banesës dhe e sipërfaqes së ngrohjes, ndërkohë që është zvogëluar numri mesatar i personave në amvisëri. Sipërfaqja mesatare e banesave është 91.93 m², sipërfaqja mesatare e ngrohjes është 49.99 m², ndërsa numri mesatar i personave në amvisëri është 3.04”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.
Te burimet e ngrohjes, druri merr pjesë me 38.2 përqind, e ndjekur nga energjia elektrike me 24.6 përqind, ndërsa 18.6 përqind e familjeve kanë burime të kombinuara. Për një vit në RMV konsumohen mesatarisht mbi 1 milionë metra kub.
“Te pajisjet elektrike veçohen kondicionerët inverter dhe pompat e nxehtësisë si teknologji më efikase për ngrohje dhe ngrohje shtesë”, raportoi Enti, ndërsa nga ngrohjet publike ngrohen 10.8 përqind, ndërsa peletët dhe burimet tjera akoma më pak.
Në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2024 nuk është regjistruar përdorim i qymyrit dhe gazit të lëngshëm të naftës (LPG) si burime për ngrohje. Ndërkohë është rritur përdorimi i energjisë diellore, ashtu që në vitin 2024 janë instaluar në 91 mijë amvisëri.