Komuniteti Politik Evropian, i cili u mblodhi në Dablin më 12 nëntor me iniciativë të Francës, miratoi një deklaratë të përbashkët mbi parimet kyçe të sigurisë evropiane, të cilën e mbështetën 41 shtete pjesëmarrëse, mes tyre edhe Maqedonia e Veriut, raporton Portalb.mk. Dokumenti synon të forcojë unitetin dhe veprimin e përbashkët në të gjithë kontinentin evropian për t’u përballur me kërcënime të tilla si rikthimi i luftës, trafikimi i drogës, ndërhyrjet nga jashtë dhe manipulimet me informacione që cenojnë demokracitë, duke vendosur si objektiv ndërtimin e një Evrope të fuqishme dhe sovrane.
Deklarata përbën gjithashtu një mesazh të qartë uniteti përballë Rusisë, e cila që nga viti 2022 zhvillon luftë agresioni kundër Ukrainës, cenon themelet e sigurisë evropiane dhe izolohet nga Evropa dhe vlerat e saj. Në një kohë kur disa palë synojnë të diskutojnë për sigurinë e kontinentit pa pjesëmarrjen e evropianëve, dokumenti konfirmon se vendet nënshkruese janë të bashkuara përballë Rusisë së izoluar, të afta për të propozuar parametra afatgjatë për paqe dhe siguri, si dhe në proces të rritjes së kapaciteteve mbrojtëse dhe të rezistencës kundër sulmeve ndaj demokracive e shoqërive.
Pjesa hyrëse e deklaratës rikonfirmon mbështetjen e palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, thekson nevojën për garanci të forta dhe të besueshme sigurie kundër agresionit të ardhshëm në tokën evropiane, dhe nënvizon se bisedimet për paqe në Ukrainë mund të zhvillohen vetëm me praninë e Ukrainës, ashtu siç asgjë për sigurinë evropiane nuk mund të diskutohet pa evropianët. Gjithashtu, dokumenti kujton dhjetë parime themelore për paqen dhe stabilitetin, përfshirë respektimin e të drejtës ndërkombëtare, barazinë sovrane, mosndërhyrjen, lirinë e zgjedhjes së aleancave, ndalimin e kërcënimit apo përdorimit të forcës, të drejtën e vetëmbrojtjes, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, përgjegjësinë parësore të evropianëve për sigurinë e tyre brenda NATO-s, BE-së dhe më gjerë, si dhe forcimin e aftësive mbrojtëse me qasje 360 gradë, duke hedhur poshtë qasjen ruse të “sferave të ndikimit”.
Për të përforcuar sigurinë në Evropë, deklarata përcakton 13 objektiva të përbashkëta: mbështetjen te NATO dhe BE për anëtaret e tyre si dhe te marrëveshjet dypalëshe; rritjen e përpjekjeve dhe kapaciteteve të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes; forcimin e rezistencës kolektive dhe mjeteve kundër sulmeve hibride e veprimeve destabilizuese nën pragun e agresionit të armatosur; zhvillimin e mekanizmave të menaxhimit dhe uljes së rreziqeve pasi të plotësohen kushtet dhe të rivendoset paqja; thellimin e bashkëpunimit në planifikimin operacional brenda NATO-s dhe në formate ad hoc si koalicionet e vullnetarëve; ndërtimin e bashkëpunimit industrial për një treg evropian të pajisjeve mbrojtëse dhe zinxhirë të sigurt furnizimi me preferencë evropiane pa cenuar bashkëpunimin me partnerët e besuar.Këtyre u shtohen edhe objektivat për thellimin e dialogut strategjik; mbrojtjen e integritetit demokratik kundër fushatave të qëllimshme, manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjeve nga jashtë; luftën kundër terrorizmit në të gjitha format, përfshirë terrorizmin shtetëror; bashkëpunimin kundër trafikut të paligjshëm të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës së emigrantëve në përputhje me të drejtën ndërkombëtare; sigurinë e furnizimit përmes uljes së varësive dhe diversifikimit të partneriteteve; mbrojtjen e të mirave të përbashkëta globale me qasje të sigurt dhe të papenguar; si dhe kontributin në sigurinë globale të ushqimit duke rikonfirmuar lirinë e lundrimit dhe sigurinë e transportit tregtar, veçanërisht në Detin e Zi dhe në rrugët detare.
Dokumenti mbulon të gjitha çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes evropiane, duke iu referuar detyrimeve të vendeve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe duke u harmonizuar me organizatat e forumeve shumëpalëshe në Evropë, si NATO, BE, OSBE dhe Këshilli i Evropës, në atë që përfaqëson herën e parë në periudhën e fundit që shtetet evropiane nga Kaukazi deri në Islandë, pavarësisht statusit apo përkatësisë, miratojnë një qëndrim të përbashkët.