“Nata e Kërshëndellave”, nga shkrimtari uruguaian Eduardo Hughes Galeano (1940 – 2015), është një tregim i shkurtër mbi ndjenjën e braktisjes. I braktisuri është një fëmijë i sëmurë rëndë, i cili nuk kërkon asgjë më shumë sesa të ketë pranë ndonjë njeri. Atë, më shumë sesa sëmundja, e rëndon pesha e vetmisë dhe e braktisjes.
Tregimi na zgjon dhembje dhe empati për ata që vuajnë. Na kujton se diku në botë, larg ose afër nesh, ka njerëz që, më shumë sesa nga dhembja, vuajnë sepse janë të braktisur.
Jeta është e trishtë kur s’ka asnjë zë që na largon trishtimin; kur s’ka asnjë dorë që na miklon, teksa vuajmë; kur nuk kemi asnjë njeri që na ngushëllon.
Tregimi na shtyn të reflektojmë se në kohë festash s’duhet të mendojmë vetëm si të festojmë, por edhe t’i kujtojmë ata që nuk kanë askënd për të festuar. Pra, të jemi solidarë me ata që vuajnë nga dhembja, nga vetmia, nga braktisja…
Ky tregim është përkthyer në gjuhën shqipe nga Bajram Karabolli, i cili e ka pasuruar sistemin tonë kulturor me vlera letrare të krijuara në hapësira të ndryshme kulturore. Do të mjaftonte vetëm kjo perlë letrare që t’i jemi mirënjohës këtij gjuhëpasuruesi, i cili ua “mësoi” gjuhën shqipe shumë gjenive të botës…
Të flasësh për një kryevepër letrare është pothuajse e pamundur. Kryeveprat shijohen, kurse komentimet janë të tepërta. Prandaj, le ta përcjellim këtë tregim, me bindjen se përkthyesi i shquar Bajram Karabolli nuk do të na qortojë. Me sa kam dëgjuar nga miqtë dhe me sa e njoh për kulturën e tij të gjerë, Bajram Karabolli, përveç se është krijues dhe përkthyes i çmuar, i cili na ka sjellë në gjuhën shqipe edhe “Don Kishotin” e Servantesit, është edhe njeri i fisëm. Përkthyesve të zotë, që kanë hequr të zinjtë e ullirit vetëm për ta pasuruar gjuhën dhe kulturën tonë, nuk u ka munguar fisnikëria…
“Fernando Silva drejton spitalin e fëmijëve në Managua. Në prag të Kërshëndellave qëndroi në spital deri vonë. Ndërkohë që Fernandoja vendosi të shkonte në shtëpi po dëgjoheshin të shtënat e fishekzjarrëve dhe qielli po ndriçohej me xixëllimat e tyre. Në shtëpi e prisnin për të festuar së bashku.
Pasi bëri kontrollin e fundit nëpër pavijone dhe pa se gjithçka ishte në rregull, duke ecur korridorit ndjeu hapa që e ndiqnin pas. Qenë hapa që dukej sikur ecnin mbi pupla. U kthye dhe pa se një prej fëmijëve të sëmurë vinte pas tij. Në gjysmëhije e njohu. Ishte një fëmijë që ishte i vetëm, pa njeri, pa të afërm. Fernandoja i dalloi në fytyrë shenjat e vdekjes, ndërsa sytë e tij dukej sikur i lypnin ndjesë e ndoshta kërkonin diçka, leje apo…
Fernadoja iu afrua dhe fëmija i preku dorën:
– Thuaji… – mërmëriti fëmija. – Thuaji ndonjërit se unë jam këtu…”
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.