Procesi i pranimit të Maqedonisë në BE duhet të përfundojë, tha sot ministri për Çështjet Evropiane Orhan Murtezani në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ministrin për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne, duke u përgjigjur pyetjes se sa gjatë do të presë Qeveria e RMV-së përgjigje nga Bullgaria në lidhje me një rezolutë të përbashkët për gjuhën dhe identitetin maqedonas në Parlamentin Evropian dhe qëndrimin e Sofjes dhe deklaratat e votuara në Parlamentin bullgar, transmeton Portalb.mk.
Murtezani tha se është mbështetës i idesë që duhet të ndërtohen qëndrime të përbashkëta si fqinjë dhe duhet të respektohen kriteret e Kopenhagës, ku kushti i parë janë pikërisht marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
“Unë jam mbështetës i idesë që rezolutat ose mundësitë e brendshme politike nuk duhet të ndërtohen kundër fqinjëve ose kundër askujt. Ne duhet të ndërtojmë qëndrime të përbashkëta si fqinjë, sepse ne vazhdimisht i referohemi kritereve të Kopenhagës, kushti i parë sipas kritereve të Kopenhagës janë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si për ne ashtu edhe për Bullgarinë. Ajo që kemi bërë në muajt e fundit, të gjitha vizitat e ministrave për çështjet evropiane, ministrave të punëve të jashtme, është tua adresojmë atyre të gjitha shqetësimet tona, jo për të përgatitur terrenin për rinegociimin e asaj që është negociuar. Megjithatë, për të gjetur disi një mënyrë, siç e përmendi ministri Byrne, që procesi ynë të ketë një fund”, tha Murtezani.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut po pret lëvizje nga Bullgaria mbi propozimin për të hartuar një rezolutë të përbashkët që do të konfirmonte veçantinë e identitetit dhe gjuhës maqedonase në Parlamentin Evropian.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Kujtojmë se me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.