Kuvendi i Serbisë ka përfunduar punimet në orën 18:00 të së martës, kur dhe përfundon edhe orari i punës i organit ligjvënës, raporton Radio Evropa e Lirë. Kryesuesi i seancës, Stojan Radenoviq nga Partia Përparimtare Serbe (SNS), njoftoi se vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet të mërkurën, duke nisur nga ora 10:00.
Në rend dite janë propozimet për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Serbisë.
Shumica e re parlamentare, Lista Studentore ka propozuar për këtë post Aleksandar Çupiqin, asistent profesor në Fakultetin e Komunikacionit në Beograd, ndërsa SNS-ja opozitare ka propozuar matematikanin Stojan Radenoviq.
Radenoviqi është deputeti më i moshuar në këtë përbërje të Kuvendit serb dhe udhëheqë seancën konstituiv deri në zgjedhjen e kryetarit.
Kreu i grupit parlamentar të SNS-së, Aleksandar Vuçiq, gjatë debatit foli më shumë për tema të tjera sesa për propozimin e tyre për kryetar të Kuvendit.
Deputetët e shumicës parlamentare e kritikuan kryesuesin e seancës pse lejoi diskutimin për çështje jashtë pikave të rendit të ditës, teksa Vuçiq u thirr në Rregulloren e Punës së Kuvendit, e cila, sipas tij, i mundëson të flasë pa kufizim kohor.
Ai foli kryesisht për atë që e cilësoi si përndjekje të anëtarëve të SNS-së pas zgjedhjeve të tetorit, duke bërë një sërë akuzash ndaj Listës Studentore. Lidhur me këto akuza ai nuk ofroi prova.