Mucunski: Integrimi gradual në BE duhet të jetë një urë drejt anëtarësimit të plotfuqishëm, jo një dhomë pritjeje e përhershme

Iniciativat për integrim gradual në Bashkimin Evropian mund të jenë vegël e rëndësishme vetëm në qoftë se paraqesin urë drejt anëtarësimit të plotfuqishëm, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski në Forumin e Dubrovnikut, njofton Portalb.mk.

“Në qoftë se modeli i ri i integrimit gradual paraqet urë drejtë anëtarësimit të plotfuqishëm, atëherë do të jetë jashtëzakonisht i dobishëm. Por, duhet të kemi kujdes të mos bëhet vegël e cila krijon dhomë pritjeje të përhershme pa derë drejt anëtarësimit të plotë”, tha Mucunski.

Ai ka theksuar se iniciativat dhe SEPA dhe Plani për rritje tashmë po shfaqin përfitime konkrete për rajonin përmes nxitjes së reformave dhe sigurimit të mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare, duke vlerësuar se mekanizmat e këtillë jashtëzakonisht mund të kontribuojnë për integrim më të shpejtë evropian.

Duke u përqendruar në procesin e zgjerimit, Mucunski ka thënë se nevojitet disciplinë më e madhe, me standarde, afate dhe rezultate më të qarta, si dhe proces inkuadrimi më kredibil dhe të parashikueshëm.

Lidhur me çështjet me identin maqedonas, ministri ka porositur se nuk ekziston “popull maqedonas verior”, gjuhë “maqedonase veriore” ose identitet “maqedonas verior”, por vetëm popull i Maqedonisë.

Duke folur për integrimin evropian, Mucunski ka theksuar se shteti vazhdon të realizojë rezultate në zbatimin e reformave dhe mbetet tërësisht e harmonizuar me Politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, me ç’rast, siç ka potencuar, kontribuon edhe më gjerë nga harmonizimi formal.

Lidhur me marrëdhëniet bilaterale me Bullgarinë, ministri ka vlerësuar se me qeverinë e re legjitime në Sofje ekziston mundësi për bisedë për çështjet e hapura, por edhe për ardhmërinë e përbashkët evropiane.

“Qëllimi ynë nuk ëstë vetëm t’i fillojmë negociatat inkuadruese dhe pas disa muajve sërish të gjendemi në të njëjtën situatë. Qëllimi ynë është t’i fillojmë dhe me sukses t’i përfundojmë në bazë të legjislacionit evropian, kritereve të Kopenhagës dhe Madridit”, tha Mucunski.

Në pjesën përmbyllës të fjalimit të tij, ministri Mucunski u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nga Evropa Juglindore për mbështetje edhe më aktive të integrimit evropian të rajonit, duke vlerësuar se nevojitet përpjekje e përbashkët për shfrytëzim të mundësisë aktuale historike.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz më 21 maj 2025 propozoiqë vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u jepet statusi i vëzhguesit në Bashkimin Evropian, ndërsa Ukrainës statusi i së ashtuquajturës anëtare e asociuar pa të drejtë vote.

“Integrimi gradual mund të realizohet përmes ndërtimit të blloqeve që do të shërbenin si bazë për zbatimin e plotë të fushave përkatëse të politikave, dhe më pas do të shoqërohej me mbështetje më të madhe në zbatimin e ligjeve të BE-së. Përveç kësaj, mund ta avancojmë edhe integrimin institucional mbi bazën e progresit real. E gjithë kjo mund t’i afrojë ndjeshëm vendet kandidate me ne dhe të nxisë një ambicie të re për reforma të mëtejshme drejt anëtarësimit të plotë”, thuhet në letrën e kancelarit gjerman.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ballkani PerëndimorBashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEFriedrich MerzMinistria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ)Plani i BE-së për rritje (zhvillim) Ballkani PerëndimorTimço Mucunski