PE e miratoi raportin për Maqedoninë, eurodeputetët e refuzuan amendamentin e Vajcit për protokollin e dytë me Bullgarinë

Me 411 vota pro dhe 120 kundër, deputetët e Parlamentit Evropian e miratuan versionin përfundimtar të Raportit për progresin e vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të përgatitur nga raportuesi për Maqedoninë, Thomas Weitz. Megjithatë, amendamenti 3 i propozuar nga Weitz u refuzua, transmeton Portalb.mk.

Me këtë amandament duhej të fshihej paragrafi 73 që përmend Protokollin e Dytë të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë midis Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Kjo nënkupton se arritja e komisionit të përbashkët të historisë mes Shkupit dhe Sofjes mbetet vendimtare në rrugën integruese të vendit.

“Raportin thekson gjithashtu disa reforma të nevojshme gjë që nuk është e habitshme sepse vendi nuk i ka filluar akoma negociatat, kapitujt e parë nuk janë hapur akoma. Kjo vjen me disa pika në raport që fokusohen në çështje që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, lirisë së mediave, çështjes së ambientit, pakicave por edhe për të drejtat e grave dhe të drejtat gjinore” tha eurodeputeti Thomas Weitz.

Ai theksoi se raporti konfirmon se parakushti i vetëm i nevojshëm për të filluar bisedimet e anëtarësimit është amendamenti kushtetues por se sipas tij, aty qartë thuhet se lëvizjet bilaterale nuk duhet të bllokojnë negociatat me BE-në

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në prag të votimit të raportit në Parlamentin Evropian, deklaroi se eurodeputetët duhet ta mbështesin amendamentin me të cilin protokollet bilaterale përjashtohen si pjesë formale e kornizës negociuese.

“Nëse Evropa dëshiron ta ruajë kredibilitetin e saj, duhet ta bëjë këtë dhe ta korrigjojë padrejtësinë që i është bërë Maqedonisë. Mendoj se kjo duhet të ndodhë. Eurodeputetët duhet ta mbështesin amendamentin ku evidentohen përfitimet dhe përparimi, por edhe pjesën ku thuhet se protokollet nuk janë pjesë përbërëse e kornizës negociuese. I inkurajoj dhe i lus eurodeputetët t’u përmbahen vlerave evropiane të përcaktuara nga Robert Shumani, Konrad Adenaueri dhe Alcide De Gasperi gjatë themelimit të BE-së”, deklaroi Mickoski.

Votimi i sotëm u mbajt pas debatit të djeshëm, ku deputetët Bullgarë kishin kritika se po përpiqet të paraqitet tekst që ‘u shkon për shtati’ autoriteteve në RMV.

Kujtojmë se marrëdhëniet me Sofjen u ftohën në vitin 2020, kur Sofja vuri veton në kornizën negociuese për vendin për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi gjuhën, historinë dhe pakicën bullgare.

Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u gjet një kompromis, Maqedonia e Veriut pranoi të shtonte komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës, përveç atyre ekzistuese, ndërsa nga ana tjetër, u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, me Bullgarinë që lëshoi ​​një deklaratë duke shprehur qëndrimin e saj për këtë çështje.

Me një kompromis të tillë, më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në në kuadër të procesit të pranimit. Që të mbahet e dyta dhe që të fillojnë hapjet e kapitujve, parlamenti i Maqedonisë duhet të votojë për ndryshimet kushtetuese. Qeveria aktuale në Shkup, e përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, e cila u formua në qershor 2024, është e mendimit se nuk do të hyjë në një proces të tillë derisa të marrë garanci se nuk do të ketë kushte të reja dypalëshe nga pala bullgare.

Paraprakisht në vitin 2017, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan Marrëveshje për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim.

Bashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEParlamenti Evropian (PE)Thomas Waitz Tomas Uajc