Rrënimi i objekteve te ish- Monopolli në Tetovë ka shkaktuar ndotje të ajrit dhe pluhur të madh në qytet, për çka kanë reaguar organizatat e mjedisit, të cilat kërkojnë përgjegjësi nga institucionet kompetente, shkruan Portalb.mk.
Shumë qytetarë të Tetovës u përballën me pluhur masiv si rezultat i rrënimit të objektit të Monopolit, në hyrje të qytetit.
Nga reagimet e shumta dhe shqetësimet e banorëve, Lëvizja Eco Guerilla kërkon nga organet kompetente të Komunës së Tetovës të kërkojnë përgjegjësi për mosrespektimin e dispozitave ligjore për ndërtim nga kompanitë që realizojnë punimet, edhe atë me theks të veçantë ligjin për siguri në punë si dhe ndotjen e ambientit.
“Kërkojmë inspektim urgjent të punimeve nga Inspektorati për ndërtim dhe Inspektorati ekologjik. Emetimi i pluhurit në masë të madhe jo vetëm që dëmton cilësinë e ajrit, por gjithashtu rrezikon shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të atyre me sëmundje respiratore. Është detyrim moral dhe ligjor të sigurohet që projektet e ndërtimit të realizohen në mënyrë të sigurt dhe në përputhje me standardet, duke mbrojtur interesat e të gjithëve”, thanë nga Eco Guerilla.
Për këtë problem reaguan edhe nga nisma Tetova do Park.
“Po na marrin hapësirën publike dhe kjo nuk u mjafton. Na marrin ajrin dhe kjo nuk mjafton. A ka inspektorat të mjedisit? Për çfarë paguhet drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit? A ka Inspektorat Komunal? Kryetar të komunës, këshilltarë, deputetë”, thonë nga Tetova do Park.
Kritikoi edhe Më Mirë për Tetovën (MMPT).
“Cili është çmimi “jozyrtar” që qytetarët e paguajnë për ta duruar terrorin e mafisë urbane dhe kësaj udhëheqësie të papërgjegjshme?”, thonë nga MMPT.
I pyetur për këtë problem, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se inspektorati komunal ka dalë në terren.
“Është dërguar inspektorati, pres që këto ditë Inspektorati të del me përgjigje se çfarë ka ndodhur në atë lokacion”, tha Kasami.
Lidhur me prishjen e objekteve në hapësirat te ish-Monopolli dje reaguan edhe nga BDI. Këshilltari komunal Liridon Disha tha se aty ku në vitin 1944 u grumbulluan mbi 10 mijë shqiptarë dhe mijëra të tjerë u masakruan, sot gërmohet pas asnjë kontroll ligjor, pa u përkujdesur fare për historinë e qytetit. Ata kërkuan urgjentisht ndërprerje të punimeve pa praninë e autoriteteve shtetërore.
Në muajin mars 2025 opinioni mësoi se Komuna e Tetovës në mënyrë jotransparente e ka lejuar shitjen e tokës shtetërore te ish-Monopolli prej 6,817 metër katrorë për 70 denarë metër katrori, dhe se aty do të ndërtohen ndërtesa.
Hulumtimi i Portalb-it tregoi se e gjithë kjo procedurë pati filluar në vitin 2019 kur në krye në komunës ka qenë Teuta Arifi.
Ky bllok edhe pse ishte i paraparë si zonë industriale, Këshilli Komunal aktual i Tetovës, shumicën e të cilit e përbëjnë Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE, në nëntor 2024 e kthyen në zonë banimi, me çka u dha drita e gjelbër që në këtë zonë mund të ndërtohet.
Pra, ka qenë në dorën e udhëheqësisë aktuale të Komunës së Tetovës që të vendosë nëse tek ish-Monopolli do të ndërtohen banesa ose jo.
Kryetari i komunës Bilall Kasami nuk është treguar tërësisht i sinqertë kur thotë se gjithçka është ‘gatuar’ më herët. Ai gjithashtu ka pasur mundësi të pezullojë Planin Detal Urbanistik e përgatitur në kohën e Teuta Arifit ose të privatizojë tokën shtetërore pas ri-destinimit në zonë për banim kolektiv.