Prokurimi i helikopterëve nga prodhuesi italian Leonardo është në rrjedhë dhe po punohet për të eliminuar sfidat ligjore, tha sot ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske se kur mund të pritet të mbërrijë helikopteri i parë i tillë, transmeton Portalb.mk.
“Prokurimi është duke vazhduar. Ju e dini që qeveria e mëparshme e nënshkroi atë prokurim, i cili ka shumë sfida ligjore. Ne po punojmë me një firmë avokatësh çdo ditë për të eliminuar çdo sfidë që kemi. Kësti i dytë prej 70 milionë eurosh është paguar”, tha ai.
Sipas tij, këta helikopterë do të jenë në gjendje të operojnë në të gjitha llojet e zjarreve sepse kanë pajisje që mund të instalohen shtesë në këto avionë.
Ai njoftoi se së shpejti do të kenë një vizitë pune në Itali, ku do të shohin se çfarë është bërë dhe më pas do të shpjegojnë në mënyrë transparente ecurinë e të gjithë procedurës.
Kontrata për blerjen e tetë helikopterëve të rinj transportues AW149 dhe AW169M për nevojat e Ushtrisë, me vlerë 249.5 milionë euro, u nënshkrua në emër të qeverive të të dy vendeve në mars të vitit të kaluar nga ministrja e atëhershme e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe homologu i saj italian Guido Crocetto. Nënshkrimi i kësaj kontrate, përveç blerjes së tetë helikopterëve që do të dorëzoheshin në periudhën nga viti 2026 deri në fund të vitit 2028, përfshin edhe një paketë për mbështetje logjistike, pra pajisje, pjesë këmbimi, një simulator, trajnim të plotë të personelit të fluturimit dhe teknik dhe ndërtimin e një objekti modern të infrastrukturës.