I pari i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski ka arsyetuar votën “abstenim” të RMV-së, në lidhje me rezolutën që mbrëmë u votua në Asamblenë e Përgjithshme në Kombet e Bashkuara (KB), ku 149 vende nga e gjithë bota votuan “pro” një armëpushimi të menjëhershëm dhe mbrojtje të civilëve në Gaza, shkruan Portalb.mk.
“Nuk është një rezolutë për paqe ose jo paqe. Ne duam paqe në të gjitha konfliktet në botë, politika jonë e jashtme është e vendosur në këtë mënyrë. Ne po japim kontributin tonë, aq sa mundemi si një vend i vogël, për paqen midis Ukrainës dhe Rusisë. Na vjen keq për situatën në Lindjen e Mesme. Ne duam paqe midis Izraelit dhe Palestinës. Por, kur shihni një rezolutë të tillë, ajo ka përmbajtjen e vet dhe ne e bazojmë qëndrimin tonë politik në përmbajtjen e çdo përmbajtjeje”, tha kryediplomati Mucunski në konferencën e sotme për media.
Sipas tij, në rezolutë ka argumente që bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare publike.
“Në të njëjtën rezolutë do të shihni një përkufizim jo mjaftueshëm të qartë të asaj çka është Hamasi. Për mua, për shembull, nuk ka dyshim se Hamasi është një organizatë terroriste që kreu vrasje në territorin izraelit. Por, më lejoni, kur nuk ka një përkufizim të qartë për veprimet e Hamasit, të organizatës Hamas, për atë se çfarë bëri Hamasi? Ne nuk mund ta mbështesim një rezolutë të tillë”, theksoi Mucunski, duke shtuar se RMV nuk është kundër paqes në Palestinë, por disa elementë të përmbajtjes së rezolutës në Kombet e Bashkuara janë në kundërshtim me interesat shtetërore të RMV-së.
Ndryshe, rezoluta mbrëmë 12 qershor 2025 kërkonte armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe qasje të pakufizuar për të shpërndarë ushqimin e nevojshëm urgjentisht për dy milionë palestinezë që jetojnë në kushte të tmerrshme për shkak të agresionit izraelit.
Votimi në Asamblenë e Përgjithshme me 193 anëtarë përfundoi me 149 vota “pro”, 12 “kundër” dhe 19 abstenime, përfshirë Maqedoninë e Veriut, e cila, së bashku me Shqipërinë, ishin vendet e vetme nga rajoni që nuk votuan “pro” rezolutës.
Dokumenti ishte i përgatitur nga Spanja, dhe dënon fuqimisht urinë e civilëve si një metodë lufte.
Kujtojmë se edhe më 8 prill 2025, në fund të sesionit të tij të 58-të, Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut miratoi dy rezoluta të paraqitura nga Shteti i Palestinës, duke riafirmuar paligjshmërinë e praktikave koloniale izraelite në territorin e pushtuar palestinez, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor, dhe duke përsëritur të drejtën e Palestinës për vetëvendosje. Vetëm 2 shtete ishin kundër Maqedonia e Veriut dhe Çekia.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, edhe në shtator të viti 2024 pati abstenuar rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që kërkonte që Izraeli t’i japë fund prezencës së tij të paligjshme në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar brenda një viti.
Maqedonia e Veriut abstenoi nga votimi, së bashku me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë, Holandën, Austrinë, Zvicrën, Suedinë, Danimarkën, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë, Poloninë, Sllovakinë, Lituaninë, Ukrainën, Serbinë, Shqipërinë, Kanadanë, Indinë, Australinë, dhe vende të tjera.
Maqedonia e Veriut, votoi e përmbajtur edhe në tetor 2023 në miratimin e rezolutës me të cilën bëhej thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës. Rezoluta e cila ishte propozim i Jordanit, u miratua me 120 vota “për”, me 14 “kundër” dhe 45 “të përmbajtur”. Maqedonia e Veriut ishte në mesin e vendeve e cila ishte e përmbajtur për rezolutën me të cilën dënohen të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinez dhe izraelit, si dhe sulmet terroriste dhe joselektive, ndërsa gjithashtu bënte thirrje për ndihmë të papenguar dhe mbrojtje të civilëve.
- LEXO: RMV përsëri pro vrasjeve izraelite në Gaza, votoi e përmbajtur në rezolutën që kërkonte armëpushim
- LEXO: RMV në mbështetje të spastrimit të dhunshëm, votoi kundër rezolutave për paligjshmërinë e praktikave koloniale izraelite në Palestinë
- LEXO: Maqedonia e Veriut “e përmbajtur”: Asambleja e OKB-së mbështeti rezolutën palestineze për t’i dhënë fund pushtimit izraelit
- LEXO: Maqedonia e Veriut votoi “e përmbajtur” për armëpushim në Rripin e Gazës