Maqedonia e Veriut është në pritje të përgjigjes nga Bullgaria për takimin të cilin e ka kërkuar Ministria e Punëve të Jashtme për zhbllokimin e procesit eurointegrues të vendit i cili kushtëzohet nga ndryshimet kushtetuese, shkruan Portalb.mk.
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjen e Portalb.mk se kur do t’i bëjnë ndryshimet kushtetuese nëse Bullgaria zotohet se nuk do të vendosë kushte tjera, nuk u përgjigj konkretisht, tha se presin ende përgjigje për takimin.
“Sa u përket bisedimeve, do ta përsëris, kam marrë këshillë nga presidentja e Komisionit Evropian, të cilën e kam pranua, e kemi lutur ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme që të kërkojë takim, dhe ai e ka bërë këtë, ende nuk kemi marrë përgjigje, kur ta marrim, atëherë do të mund të komentojmë më shumë”, tha Mickoski.
Ky takim u iniciua me propozim të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e cila javën e kaluar ishte në Shkup.
Megjithatë, presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova deklaroi se Bullgaria është e gatshme për bisedime me RMV-në, por pa ultimatume.
Sipas Jotovës, nuk është hera e parë që Maqedonia të këshillohet nga Komisioni Evropian apo nivel i tillë i përfaqësuesve nga Bashkimi Evropian por shpreson që këtë herë, Von der Leyen të ketë qenë e prerë me Mickoskin.
“Ne jemi gjithmonë të hapur për bisedime me Republikën e Maqedonisë së Veriut, por bisedime pa ultimatume dhe pa hequr dorë nga politika evropiane. Bullgaria është anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe nuk mund të lejojmë që një shtet që ka nisur rrugën drejt Evropës, të mos i pranojë vlerat dhe virtytet e BE-së. Që biseda të jetë serioze, Mickoski duhet të njihet në detaje me politikën evropiane sa i përket zgjerimit dhe të mos i paraqes marrëdhëniet me Bullgarinë si një çështje ekskluzivisht dy palëshe”, theksoi Jotova.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të premten (më 2 tetor) e vizitoi Shkupin, prej ku paralajmëroi se që javën e ardhshme duhet të ndërmerret një hap i ri në përpjekjen për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski në Shkup, ajo tha se në takimin e tyre është dakorduar që procesi të fillojë të lëvizë sërish.
- LEXO: Von der Leyen njoftoi hapin për të zhbllokuar integrimin evropian të RMV-së, përpjekje e re fillon javën tjetër
- LEXO: Mucunski kërkoi zyrtarisht takim me ministren e jashtme bullgare javën e ardhshme në Sofje
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.