Një muaj pas, Anti-diskriminimi ende heton a janë diskriminuar nxënësit shqiptar në “Penko”, Avokati i Popullit hesht

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në RMV ende po e shqyrton rastin lidhur me mënyrën e regjistrimit të nxënësve në klasën e parë me mësim në gjuhën shqipe në SHFK “Petar Zdravkovski-Penko” në Butel të Shkupit, ku si kriter për regjistrimin e nxënësve është marrë nëse kanë vëlla ose motër që tashmë ndjek mësimin në këtë shkollë. Nga Avokati i Popullit edhe pse paralajmëruan hapje të lëndës për këtë rast, nga atje tani heshtin, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse kanë kaluar gati një muaj nga hera e fundit kur Komisioni për Portalb.mk deklaroi se kishte hapur procedurë për këtë rast pas iniciativës së një grupi prindërish, nga atje thonë se procedura ende është në rrjedhë. Sipas tyre, afati për ndërmarrjen e veprimeve është i nevojshëm për të përcaktuar gjendjen faktike.

“Theksojmë se grupi i prindërve për çështjen në fjalë i është drejtuar Komisionit me iniciativë më 31.08.2026, ndërsa, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, afati për ndërmarrjen e veprimeve procedurale nga Komisioni konsiderohet se është i nevojshëm për ndërmarrjen e veprimeve në drejtim të përcaktimit të drejtë të gjendjes faktike dhe ai është në rrjedhë”, thuhet në përgjigjen e Komisionit për Poralb.mk.

Nga Komisioni thonë se i janë drejtuar shkollës dhe institucioneve përkatëse për të marrë të dhënat e nevojshme, ndërsa nga SHFK “Petar Zdravkovski-Penko” tashmë kanë marrë përgjigje.

“Ju njoftojmë se Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka vepruar në përputhje me nenin 24, paragrafi 7 të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe i është drejtuar me kërkesë për prononcim shkollës dhe institucioneve përkatëse. Nga SHF ‘Petar Zdravkovski-Penko’ në Komunën e Butelit është marrë përgjigje me të dhënat e kërkuara”, thuhet në përgjigjen e Anti-diskriminimit.

Avokati i Popullit hesht

Për këtë rast kishte hapur lëndë edhe Avokati i Popullit. Megjithatë, ky institucion nuk iu përgjigj pyetjeve të Portalb.mk se çfarë veprimesh ka ndërmarrë deri tani lidhur me rastin.

Kujtojmë se, problemi me paralelen e pestë në gjuhën shqipe u bë publik pasi organet lokale vendosën që njëra nga pesë paralelet e klasës së parë të mos funksionojë. Komuna e Butelit vendosi ta mbyllë paralelen, pavarësisht interesimit të lartë për regjistrim, ndërsa në të njëjtën shkollë funksionojnë paralele në gjuhën maqedonase me numër shumë të ulët nxënësish.

Si arsye nga Komuna u përmend rajonizimi, përkatësisht që nxënësit nga Komuna e Çairit të mos regjistrohen më në shkollat e Butelit, edhe pse disa prej tyre jetojnë vetëm disa metra larg objektit të shkollës.

Pas reagimeve, kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, tha se në marrëveshje me Ministrinë e Arsimit është vendosur që fëmijët nga komunat e tjera të pranohen në SHFK “Petar Zdravkovski-Penko” vetëm nëse kanë vëlla ose motër që ndjek mësimin në këtë shkollë. Këtë e njoftoi edhe zv.ministri i Arsimit, Driton Sulejmani.

Megjithatë, me këtë nuk u zgjidhur çështja, pasi ata nxënës që nuk kanë vëlla ose motër që ndjek mësimin aty u detyruan të shkojnë nëpër shkollat e tjera edhe pse jetojnë pranë shkollës.

Reaguan edhe këshilltarët e AKI-së në Komunën e Butelit, të cilët e akuzuan zv.ministrin e Arsimit, Driton Sulejmani, se po gënjente dhe se paralelja vazhdonte të ishte e mbyllur. Ata kërkuan që Këshilli i Komunës së Butelit ta rishqyrtojë vendimin.

Prinderit e nxënësve që nuk u pranuan në këtë shkollë dorëzuan peticion në Komunën e Butelit dhe në Ministrinë e Arsimit, duke kërkuar zgjidhje përfundimtare për problemin.

Avokati i PopullitDiskriminimKomisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi RMVShkolla Fillore "Penko" ButelTë rinj - Rini - Rinia