Çmimet me pakicë të benzinave EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 ulen për 1,50 denarë/litër, krahasuar me çmimet me pakicë të përcaktuara me vendimin për përcaktimin e çmimeve më të larta me pakicë të derivateve të naftës dhe karburanteve për transport, të datës 28.09.2026, transmeton Portalb.mk.
Me këtë, çmimi me pakicë i EUROSUPER BS-95 do të jetë 98,50 denarë/litër, ndërsa i EUROSUPER BS-98 do të jetë 100,50 denarë/litër.
Çmimi me pakicë i EURODIZELIT (D-E V) ulet për 3,00 denarë/litër, krahasuar me çmimin me pakicë të përcaktuar me vendimin e datës 28.09.2026. Me këtë, çmimi i EURODIZELIT (D-E V) do të jetë 97,00 denarë/litër.
Çmimi me pakicë i vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) ulet për 3,00 denarë/litër, krahasuar me çmimin e përcaktuar me vendimin e datës 28.09.2026. Me këtë, çmimi i vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) do të jetë 108,50 denarë/litër.
Çmimi me pakicë i mazutit M-1 NS ulet për 0,285 denarë/kg, krahasuar me çmimin e përcaktuar me vendimin e datës 28.09.2026. Me këtë, çmimi i mazutit M-1 NS do të jetë 49,597 denarë/kg.
Paraprakisht sot, kryeministri Hristijan Mickoski tha se pret që të ketë ulje të çmimeve të karburanteve në vend. Ai këtë e tha duke iu referuar lëvizjeve të çmimeve në bursat botërore.
“I ndjekim bursat dhe në bazë të kësaj pres që sot të ketë përsëri ulje të çmimit të karburanteve pa plumb dhe të naftës”, deklaroi kryeministri duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Mickoski përsëriti se vendi ka çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon, gjë që, siç tha ai, ka koston e vet edhe për Buxhetin e shtetit, në vlerë prej rreth shtatë deri në tetë miliardë denarë. Për këto arsye, përsëriti ai, do të bëhet rishikimi i Buxhetit.
“Me rishikimin e Buxhetit ulen edhe shpenzimet edhe të hyrat, sepse në anën e të hyrave kemi rreth 7-8 miliardë denarë. Kjo është rezultat i uljes së akcizave, përkatësisht të hyrave më të ulëta nga akcizat dhe të hyrave më të ulëta për shkak të uljes së TVSH-së. Prandaj, për t’i balancuar të gjitha këto, ne do të bëjmë rishikimin e Buxhetit”, deklaroi Mickoski.