Në vitin 2027 do të emetohet një euro-obligacion i ri. Mjetet do të shpenzohen për shlyerjen e borxheve të vjetra, por edhe për nevojat aktuale të buxhetit. Në fund të këtij viti, paralajmërohet një rebalanc i dytë i Buxhetit. Pushteti thotë se financat publike janë të qëndrueshme, ndërsa blloku opozitar akuzon se shteti po hyn në një skenar borxhi. Çfarë tregojnë të dhënat për likuiditetin buxhetor dhe borxhin, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Qeveria kërkon burime për 1,3 miliardë euro, blloku opozitar akuzon për skenar borxhi
Politikë e disiplinuar fiskale, shkurtim i shpenzimeve joproduktive, rritje e investimeve publike, konsolidim fiskal – edhe në vitin 2027, Qeveria paralajmëron politikë fiskale të qëndrueshme, e cila nuk do ta rrezikojë pozicionin e borxhit të ekonomisë. Në përfundim të këtij viti ekonomik, tashmë është paralajmëruar një huamarrje e re në tregjet financiare ndërkombëtare përmes emetimit të një euro-obligacioni.
Sipas të dhënave të bllokut opozitar, i cili i referohet një vendimi të Qeverisë, bëhet fjalë për një shumë prej rreth 1.300.000.000 eurosh. Sipas informacioneve të publikuara deri më tani nga Ministria e Financave, mjetet duhet të sigurohen përmes një euro-obligacioni të ri, ndërsa kjo huamarrje ishte planifikuar në Strategjinë e rishikuar Fiskale 2027–2031.
Çfarë shkruan saktësisht në këtë dokument dhe sa para e për çfarë arsye do të duhet të shlyejmë vitin e ardhshëm? Sipas konturave të përcaktuara për vitin 2027, deficiti në arkën shtetërore do të arrijë në 688.701.298 euro, ose ulje prej 3,5% e PBB-së. Megjithatë, ky projeksion bazohet në vlerësimet se deficiti buxhetor për këtë vit do të jetë po ashtu 3,5% e PBB-së, nivel ky që tashmë është rritur në 4,1%.
Vitin e ardhshëm, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për financimin e deficitit buxhetor është planifikuar një kredi prej gati 1.740.000.000 eurosh, nga të cilat 1.050.000.000 euro duhet të shlyhen në bazë të detyrimeve të maturuara. Në tregun e brendshëm, shteti planifikon të marrë hua 623.000.000 euro, ndërsa nga jashtë edhe 1.125.000.000 euro.
Sipas informacioneve nga Ministria e Financave, një pjesë e mjeteve nga euro-obligacioni i ri që do të emetohet në vitin 2027 do të përdoren për shlyerjen e euro-obligacionit në vlerë prej 500.000.000 eurosh, i cili u emetua në vitin 2023. Por, një pjesë e kredisë së re do të përdoret edhe për shpenzimet aktuale të buxhetit dhe shlyerjen e borxheve të tjera.
“Një pjesë e huamarrjes në periudhën 2027–2031 është e destinuar për mbulimin e deficitit buxhetor, përkatësisht për realizimin e papenguar të pagesave nga Buxheti, ndërsa një pjesë do të shërbejë edhe për rifinancimin e borxheve të mëparshme që maturohen gjatë periudhës së ardhshme”, theksojnë nga Ministria e Financave. Në prag të huamarrjeve të reja, blloku opozitar kritikon se shteti po shtyhet drejt një skenari borxhi.
“Paralajmëruam huamarrje të re në vlerë prej 1,3 miliardë eurosh. Tani kjo tashmë është bërë realitet. Për dy vjet, kjo qeveri e ka zhytur shtetin në borxhe prej 4 miliardë eurosh. Për 35 vjet ekzistencë, të gjitha qeveritë së bashku kanë marrë borxh 8 miliardë euro”, reaguan nga LSDM.
Vetëm për interesa, vitin e ardhshëm shteti do të duhet të ndajë mbi 400 milionë euro. Këto janë mjete që nuk do të jenë në dispozicion për shërbime publike, politika zhvillimore dhe investime, por do të përdoren për servisimin e borxhit të akumuluar”, vlerësuan edhe nga “Levica”.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në periudhën 2027–2031, mesatarisht, çdo vit do të shpenzohet madje 7% e Buxhetit vetëm për shlyerjen e interesave për kreditë e marra në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm.
Në fund të këtij viti, Qeveria tashmë paralajmëroi një rebalanc të dytë të Buxhetit, me pretendimin se deficiti në arkën shtetërore nuk do të thellohet.
“Presim që deri në fund të vitit të na mungojnë 6–7 miliardë denarë nga shuma që kishim planifikuar, prandaj është e mundur që deri në fund të vitit të bëjmë edhe një rebalanc të Buxhetit”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Deri në fund të gjysmës së parë të këtij viti, borxhi i përgjithshëm publik arrin në 10.726.000.000 euro, ose 58,8% të PBB-së. Sipas të dhënave nga Thesari i Ministrisë së Financave, në fund të gushtit ishte shpenzuar 83,52% e deficitit buxhetor.