Mexhiti: Balancuesi nuk shfuqizohet, por po avancohet si pjesë e Ligjit për përfaqësimit të drejtë

Balancuesi nuk shfuqizohet, por avancohet e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe kjo do të jetë në interes të shtetit multikulturor dhe multietnik të Maqedonisë së Veriut. Kështu deklaroi sot Izet Mexhiti, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i cili së bashku me ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, kryetarin e Komunës së Çairit Visar Ganiu dhe deputetin Bekim Sali, sot u takua me përfaqësuesit e Shoqatës së Pensionistëve të Çairit, duke komentuar njoftimet e ministrit të transformimit digjital, Stefan Andonovski, se ndryshojnë numrat në balancues për tu përputhur ekskluzivisht me rezultatet e regjistrimit, siç tha, të popullsisë rezidente nga regjistrimi i vitit 2021, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, fillimisht pas vitit 2001, mekanizmi ka qenë në funksion të përfaqësimit të komuniteteve më të vogla, por vitet e fundit, siç tha ai, ka pasur kundërefekt.

“Ka pasur shumë raste kur një maqedonas ka aplikuar kur ka pasur nevojë të punësohet si shqiptar, turk, vllah apo diçka tjetër apo anasjelltas në nivel lokal. Pra, nuk ka qenë në funksion, por në kundërfunksion”, thotë ai.

Sipas ministrit të transformimit digjital, Stefan Andonovski, koha e balancimit sipas çelësit etnik mbetet në të kaluarën, por, siç tha ai, e gjithë kjo do të bëhet me respektimin e vlerave themelore të Kushtetutës, si p.sh., përfaqësim adekuat dhe të drejtë.

“Nga sot, numrat brenda mjetit digjital të balancuesit janë ndryshuar për ta përputhur me rezultatet e regjistrimit ekskluzivisht të popullsisë rezidente nga regjistrimi i vitit 2021. Që do të thotë se personat e regjistruar në vende si Zvicra, Gjermania, Italia nuk do të jenë pjesë e balancuesit të mjeteve digjitale për punësim në Republikën e Maqedonisë”, tha ai.

Në lidhje me paralajmërimet për shpërbërjen e plotë të Këshillit Gjyqësor, Mexhiti tha se faktori ndërkombëtar dhe ekspertët kanë konstatuar se Maqedonia po ballafaqohet me një epidemi të korrupsionit në vitet e fundit, e cila ka prekur edhe gjyqësorin, për shkak të së cilës qytetarët kanë humbur besimin dhe vetëm tre përqind besojnë në gjyqësor dhe prokurori.

Mexhiti është përgjigjur pozitivisht në pyetjen nëse ka iniciativë për rikthimin e dispozitave në Kodin Penal, të cilat i referohen shpërdorimit të detyrës zyrtare.

Kujtojmë se ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloganë fund të majit 2023, tentoi që ta zgjidh problematikën e keqpërdorimit të përkatësisë etnike gjatë punësimit, duke nënshkruar një udhëzim me çka do të vendosej përkatësia etnike në dokumentet e gjendjes civile. Por, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi këtë udhëzim në fund të muajit shkurt të këtij viti.

Balancuesi - Ligji për përfaqësim të drejtëIzet MexhitiQeveria e Maqedonisë së VeriutVMRO-DPMNE