Balancuesi në RMV do të hiqet me faza, nuk do të llogariten më për punësim ata që nuk jetojnë në shtet

Mjeti digjital, balancues, do të mbetet në të kaluarën në RMV. Ne do t’i japim fund kriterit të përzgjedhjes së punësimit që fillimisht të jesh i një etni e caktuar, pastaj profesionist në një fushë të caktuar, me cilësi dhe arsim. Këtë e bëri të ditur sot në një konferencë për media, ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski, duke theksuar se ashtu siç kanë premtuar para zgjedhjeve, koha e balancuesit sipas çelësit etnik ka mbetur në të kaluarën, por, siç tha ai, e gjitha kjo do të bëhet duke respektuar vlerat themelore të Kushtetutës pasi sipas tij është përfaqësimi i duhur dhe i drejtë, transmeton Portalb.mk.

“Nga sot, numrat brenda mjetit digjital të balancuesit janë ndryshuar për të përputhur me rezultatet e regjistrimit ekskluzivisht të popullsisë rezidente nga regjistrimi i vitit 2021. Që do të thotë se personat e regjistruar në vende si Zvicra, Gjermania, Italia nuk do të jenë pjesë e balancuesit të mjeteve digjitale për punësim në Republikën e Maqedonisë”, tha ai.

Sipas tij, heqja e balancuesit do të shkojë në faza dhe kjo tashmë, siç tha ai, është faza e parë për t’u kthyer në bazën ligjore të regjistrimit të popullsisë të vitit 2021.

“Pas kësaj, me ligj dhe ndryshim të metodologjisë, do të shkojmë në heqjen e plotë të mjetit balancues, ndërsa do të respektohet plotësisht vlera themelore e Kushtetutës, e cila është përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i bashkësive etnike”, thotë Andonovski.

Por, Andonovski theksoi se kjo çështje do të kërkojë një diskutim gjithëpërfshirës brenda Qeverisë, gjegjësisht, siç tha, të shohim se cilat janë mënyrat për të mos shkelur parimin themelor të Kushtetutës, siç është përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i komuniteteve, por në të njëjtën kohë, sipas tij, së pari të garantohet merita, efikasiteti, cilësia, arsimimi, përvoja e punonjësve dhe të mos shihet, siç shtoi ai, shenja e tyre etnike.

“Sot është seanca e parë e qeverisë ku do të diskutohen çështje të caktuara rreth funksionimit të qeverisë. E di që qytetarët kanë pritshmëri të mëdha që ndryshimet të ndodhin shpejt, por kjo çështje kërkon një diskutim gjithëpërfshirës brenda Qeverisë”, tha ministri e Transformimit digjital.

Ai theksoi se me këtë do t’i jepet fund që fillimisht të jesh nga një etni e caktuar, e më pas të jesh profesionist në një fushë të caktuar dhe të kesh cilësi dhe arsim. Profesionalizmi, shtoi ai, do të jetë para zgjedhjes së përkatësisë etnike.

Izet Mexhiti, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se balancuesi me të cilin shumë maqedonas u bënë shqiptarë për të gjetur një vend pune do të zëvendësohet me Ligjin për Përfaqësim të Drejtë. Sipas tij, balancuesi nuk do të shfuqizohet, por siç tha ai do të rregullohet me ligj dhe do të jetë detyrim ligjor. Kjo, sipas tij, do të bëhet që përfaqësimi i drejtë të bëhet detyrim ligjor, e jo të mbetet mekanizëm për pazare politike, siç ishte deri tani.

Lidhur me këtë ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila shpreh mosbesim dhe “shqetësim të thellë për vendimin e qeverisë me legjitimitet njëetnik, për të ndryshuar formulën “balancues” që përcakton përfaqësimin e drejtë të të gjitha komuniteteve etnike para se ta zhbëjnë atë tërësisht”.

“Duke injoruar të dhënat e regjistrimit të fundit që tregojnë se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë, kjo qeveri ka vendosur të rikthejë përqindjen nën 25%, bazuar në të dhënat e regjistrimit të 20 viteve më parë. Ky veprim përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj parimit të përfaqësimit të drejte, një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit. Ndërkohë, humbësit e zgjedhjeve dhe partnerët e Stoilkoviqit, të kapur dhe të pafuqishëm, vëzhgojnë në heshtje por edhe aktivisht kontribuojnë në degradimin e përditshëm të pozitës së shqiptarëve. Kjo është pasojë e qartë e faktit se ata nuk janë përfaqësuesit e votuar të komunitetit shqiptar, por partneri i preferuar i VMRO DPMNE-së, duke vënë në plan të parë pozitat, edhe pse kanë marrë vetëm thërrime nga institucionet e zhveshura nga kompetencat”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Kujtojmë se ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloganë fund të majit 2023, tentoi që ta zgjidh problematikën e keqpërdorimit të përkatësisë etnike gjatë punësimit, duke nënshkruar një udhëzim me çka do të vendosej përkatësia etnike në dokumentet e gjendjes civile. Por, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi këtë udhëzim në fund të muajit shkurt të këtij viti.

Balancuesi - Ligji për përfaqësim të drejtëBashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Ministria e Administratës Publike (MAP)Punësime partiakeVMRO-DPMNE