Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sot ka ngritur aktakuzë kundër nëntë punonjësve policorë nga Velesi për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, sipas nenit 353, paragrafi 1, dhe “Moszbatim i vendimit gjyqësor”, sipas nenit 377, paragrafi 5 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
“Prokurori publik nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore dhe Pjesëtarë të Policisë së Burgjeve ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, përmes të cilave ka konstatuar se të akuzuarit, në periudhën nga 21.02.2025 deri më 15.09.2025, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare, kanë shkelur rëndë të drejtat e të dëmtuarës, tashmë të ndjerës Rosica Koceva, duke cenuar të drejtën e saj të garantuar me Kushtetutë për jetën, si dhe të drejtat e parapara në nenet 2 dhe 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thonë nga Prokuroria.
Ata nuk kishin vepruar në mënyrë adekuate ndaj denoncimeve të të dëmtuarës për dhunë në familje, duke mos respektuar dispozitat e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, Rregulloren për mënyrën e vlerësimit të rrezikut nga rreziku serioz për jetën dhe integritetin fizik e psikik të viktimës dhe anëtarëve të familjes së saj, si dhe rrezikun e përsëritjes së dhunës, Rregulloren për kryerjen e punëve policore dhe Ligjin për Policinë.
“Edhe pse ishin shqiptuar masa gjyqësore për mbrojtjen e viktimës nga dhuna në familje, ata nuk kishin vepruar në përputhje me masat urgjente të mbrojtjes. Gjithashtu, një pjesë e të akuzuarve, gjatë veprimeve të ndërmarra pas denoncimit të të dëmtuarës, në kundërshtim me dispozitat e qarta të Ligjit për Policinë, nuk e kishin njoftuar prokurorin publik kompetent për të marrë udhëzime të mëtejshme për veprim. Ndërkohë, provat i kishin mbajtur në ambientet e Njësisë për Krim të Përgjithshëm pranë Sektorit të Punëve të Brendshme në Veles, pa iniciuar asnjë procedurë”, thuhet në njoftim.
Vrasje e dyfishtë ndodhimë 15 shtator 2025 në Veles, ndërsa autori kreu vetëvrasje. Sipas fqinjëve, ish-partneri i vajzës e vrau atë së pari, pastaj babanë e saj, dhe më vonë vrau edhe veten.
Ndryshe, vetëm pesë ditë para se ta kryente vrasjen e Rosicës dhe babait të saj në Veles, 39-vjeçarit nga Shkupi, Ilija Stefanovskit, gjykata ia kishte shfuqizuar masën e ndalesës për tu larguar nga shtëpia dhe të paraqitet në polici me kërkesë të prokurorisë.