Që nga mëngjesi i sotëm është ndërprerë energjia elektrike në disa fakultete të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM), mes tyre në Fakultetin e Makinerisë, atë të Elektroteknikës, Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikës, Fakultetin e Bujqësisë, si dhe në ndërtesën e Rektoratit, raporton Telma.
Sipas informacioneve, gjatë ditëve në vijim ekziston mundësia që pa energji elektrike të mbeten edhe institucionet kulturore, ndërsa rrezik për ndërprerje të energjisë ka edhe Posta. Shkak për këtë janë faturat e papaguara të energjisë elektrike.
Bëhet fjalë për një borxh prej gjysmë milioni eurosh ndaj operatorit që i furnizon me energji elektrike, ndërsa pjesa më e madhe e borxhit u takon pikërisht fakulteteve.
Mbetet të shihet se deri kur ndërtesat universitare do të mbeten pa energji elektrike, si dhe nëse do të ketë ndërprerje të tjera apo ndërkohë do të paguhen një pjesë e faturave.
Institucionet publike dhe shtetërore kanë borxhe të mëdha edhe ndaj EMV-së, të cilat, sipas të dhënave të kompanisë, kapin pak më shumë se 24 milionë euro.