Ministrja për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut, Vesna Janevska, ka sqaruar se sivjet janë mbyllur 30 shkolla si rezultat i optimizmit të shkollave, ndërkohë më shumë se gjysma e shkollave punojnë me një ndërrim, transmeton Portalb.mk.
„Është e vërtetë se kemi mbyllur rreth 30 shkolla periferike, sepse nuk ka nxënës të klasës së parë ose ka numër të vogël nxënësish. Por, kur fëmijët nga grupet e vogla transferohen në shkolla më të mëdha, kanë më shumë mundësi të shoqërohen dhe të konkurrojnë me njëri-tjetrin. Prandaj, konsideroj se duhet të vazhdojmë me këtë proces“, tha Janevska.
Ajo theksoi se optimizmi i shkollave dhe mësimi me një ndërrim janë vlerësuar pozitivisht në Raportin e Bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut, duke sqaruar se në 620 shkolla nga gjithsej 1 023 kemi mësim me një ndërrim.
Në kuadër të optimizmit, Janevska sqaroi se asnjë mësimdhënës nuk e ka humbur vendin e punës, ndërkohë nevoja për arsimtarë tashmë është në Shkup.
Ndryshe, numri i paraleleve në arsimin fillor është reduktuar për rreth 200, ndërsa në arsimin e mesëm për rreth 100, për shkak të optimizimit të rrjetit shkollor, kishte njoftuar më 25 gusht ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Përndryshe, tre mijë nxënës më pak do të ulen këtë vit shkollor në bankat e shkollave në Maqedoninë e Veriut, krahasuar me vitin e kaluar.