Me shkas: Ikja si njohje

“Një nga shenjat më të dukshme të krizës së një shoqërie është kur fëmijët kanë nivel arsimor më të dobët se prindërit e tyre.”

Para disa ditësh nga mediat mësuam për ikjen nga kjo botë të një filozofi nga mesi ynë, prof. Denko Skallovski (1956-2026), i cili është autor edhe i fjalisë së mësipërme.  Shpërngulja e tij në përjetësi dhe motivet e mendjes kurioze na shtynë të mësojmë post mortem për të dhe pikëpamjet e tij. Dhe duke pasur parasysh se nuk duhet bërë vetëm lexime por edhe dëgjime,  u përqendruam te një emision me titullin “PikëPamje”, shfaqur në TV Shenja (2018). Para se të nisim shpalosjen e botës ideore të tij të theksojmë se interesat e tij shkencore dhe kërkimore përfshinin filozofinë, filozofinë e gjinisë, filozofinë e kulturës, filozofinë e artit (estetikën), historinë e gjinisë dhe seksit, si edhe sociologjinë e sportit. Skallovski ka magjistruar në temën Etika e përgjegjësisë te Hans Jonas, kurse titullin doktor e ka fituar me disertacionin Antipode të filozofisë bashkëkohore të muzikës. Është autor i shumë veprave mes tjerash: Etida filozofike (1995), Fenomenologjia e medias (2018), Veta e parë njëjës (2023) etj.

Sëra e refleksionit të tij ideor përfshin kritikën si paralajmërues të krizës, si momentum kur vërejmë së diçka nuk funksionon, nuk ecën, që mund të shpie drejt rënies së sistemit. Bota apo sistemi kapitalist apo postkolonial janë në krizë. Lufta për liri është eternale, zhvillohet sa të ketë jetë, ngjashëm si dëshira për të njohur veten. Te shumë fise “primitive” nuk ekziston termi krizë, as luftë, ndonëse këto bashkësi janë kategori paraurbane, “të pacivilizuara”. Sot, ne njerëzit modernë, jemi gjithçka por jo paqësorë. Tolstoji nuk e ka emërtuar kot veprën e vet Lufta dhe paqja, pra së pari është pozicionuar lufta e më pas paqja, dy antipode të jetës. Duhet të shmangemi nga mendësia “pars pro toto”, pra nëse një sistem është në krizë nuk do të thotë se gjithë botës i shkon tymi. “Pars pro toto” është një ideologji, e ideologjia është derviat i një filozofie.

Niçe nuk flet për zhvlerësimin e vlerave, por për rivlerësimin e vlerave, krijimin e njeriut të ri, të mbinjeriut, “Übermench”, të individit që kualitativisht e kapërcen veten, me cilësi më të lartë morale. Mirë është të sëmurësh për të parë se sa e rëndësishme është të jesh i shëndoshë. Është mirë të të ndodhë e keqja për ta çmuar të mirën. Kjo është dialektika e jetës. Të gjitha konfliktet mund t’i zgjidhim, por kurrë atë brenda vetes, mes unit dhe alter egos. Modeli ideal-tipik i kulturës dhe civilizimit nuk është produktiv. Ka edhe kultura të tjera, pos asaj europiane. Duhet të jesh i çmendur që të mendosh se vetëm një model është i përshtatshëm me natyrën e njeriut, e cila është e ndryshueshme.

Nëse jeni mendimtar zyrtar, të gjithë do t’ju urrejnë. Zyrtarizimi i ideologjisë, si vetëdije e dhënë, është debakël i mendimit. Neoliberalizmi gjithçka që është kundër tij e shpall si ideologji. Glorifikimi i një ideologjie është konservatorizëm. Sot studentëve iu mungon utopia pozitive. Nuk kundrojnë Noch-nicht-zein: atë që ende nuk është. Sipas Skallovskit, është e pamoralshme të mos lexoni, të mos mësoni, të jeni të painformuar dhe të mos dëshironi që ta pranoni injorancën tuaj. Sot rinia nuk është pjesë e arkitekturës së dijes, apo gërmimit të dijes. Në këtë drejtim ndikojnë edhe veglat famoze të quajtura “smart technologies”, të cilët implikojnë se ne jemi të marrë. Virilio ka treguar se pajisjet digjitale do të jenë diçka shumë e keqe. Inteligjenca artificiale, që ofron të vërteta të gatshme, nuk mund të jetë më inteligjente se njeriu, sepse njeriu e ka krijuar atë.

Sot bota përballet me krizën e mendjes objektive (Lukacs). Njeriu i kohës sonë të vërtetën e sheh në mënyrë subjektive jo siç është. Sistemet ndryshojnë, lufta për liri është e përhershme. Njeriu është individ, është pjesëtar i një kolektiviteti – që përfaqëson shpirtin objektiv – dhe e të përgjithshmes (njerëzimit). Intelektuali duhet të lë gjurmë, “Perandoritë zhduken, vargu i mirë mbetet” (Bloch) Sot shkollarët janë fuqi punëtore intelektuale. Filozofi vendor hegeliano-marksist  kritikon sistemin kapitalist transnacional, të cili i pengon shteti kombëtar. “Liberalizmi është buldozer, shkel para vetes gjithçka që i pengon.” Identiteti lidhet edhe me përkatësinë një grupi të caktuar. Ndryshimi i emrit është ndryshim i identitetit, kërkesa për ndryshim të emrit është mohim i identitetit. Andaj, të pafuqishmit kërkojnë pranimin nga të tjerët. Kjo ka të bëjë me “teorinë e pranimit” (Honet). Sot vërtet, botën duhet ndryshuar, nuk mjafton vetëm interpretimi. S’ka absurd më të madh sesa ajo që ka thënë Fukuyama për fundin e historisë; nocione e kulturës masive të sotme si demokracia, liria jan ideologji par excellence.

S’është e drehtë që Ballkani të pezhorativizohet per sé; Papa Francisko flet për rreziku nga ballkanizimi i botës; në fakt gjithë bota është Ballkan. “Pranoji  gabimet që i ke bërë që edhe unë t’i pranoj të miat” (Brecht). Europianët duruan më tepër se 45 vjet pas LDB-së, ndërsa ne ballkanasit, u përfytëm si më kqe në vitet 1990. Duhet  të kuptojmë se vetëm së bashku mund të mbijetojmë, duhet të gjejmë formulën e mbijetesës së përbashkët. Robi i fundit indian ka thënë: “Përfundoi jeta, tani fillon lufta për mbijetesë.” Të gjithë luftojmë për mbijetesë, planeti jonë gjithashtu. Na duhet rishqyrtim i njerëzimit. Rimendim i relacionit njeri, natyrë, shoqëri, shtet. Na duhet reformë e vetëdijes njerëzore ndaj natyrës, filozofi e natyrës. Nëse kështu vazhdojmë ta trajtojmnë natyrën, nuk do të mund të mbijetojmë. Ekologjizmi dhe kapitalizmi janë si uji dhe nafta. Kapitalizmi i ka konsumuar të gjitha rezervat e veta. Nëse nuk i ndryshojmë sjelljet tona, e kemi përgjegjësinë për ardhmërinë. Me vetëdijen aktuale, s’ka ardhmëri, të cilën duhet t’ua sigurojmë brezave të ardhshëm. Na duhet intervenim ndaj natyrës dhe vetvetes – shprehet Skallovski në fund të intervistës.

Si përfundim, mund të themi se pa mësuar dhe njohur të afërmin s’mund të njohësh të largëtin, pa i njohur vlerat vendore s’mund të akomodohesh me ato globale. Mund të kesh hendek botëkuptimor dhe ideolgjik me njerëzit por kjo nuk duhet të jetë pengesë për të përfituar prej tyre. Urtësia është thesar që duhet marrë kudo që e gjejmë. Një vlerësim i veçantë dhe një përgëzim i merituar i takon edhe autorit të emisionit, L. Mustafa, i cili me përzgjedhjen e tij të kujdesshme dhe me ndjeshmërinë e rrallë për temat me peshë, ka arritur të sjellë një përmbajtje që tejkalon kufijtë e një emisioni të zakonshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit