“Me pagat që marrim mezi arrijmë ta mbyllim muajin”, protestuan punëtorët në Shkup

Organizatat sindikaliste në Maqedoninë e Veriut, kanë protestuar para qeverisë në Shkup, për rritjen e pagave të punëtorëve dhe kushte më të mira në punë, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, raportoi Radio Evropa e Lirë. Për herë të parë, me moton “Ne punëtorët”, në protestë janë bashkuar dy organizatat më të mëdha, Lidhja e Sindikatave dhe Konfederata e Organizatave Sindikale.

“Pa plotësimin e standardeve minimale të Bashkimit Evropian ne nuk mund asnjëherë të bëhemi pjesë e unionit [evropian]. Me pagat që marrim mezi po arrijmë të mbyllim muajin. Varfëria ka hyrë në shtëpinë e çdo punëtori”, ka deklaruar Angel Stojkovski, punonjës në industrinë e tekstilit në protestën e 1 majit të mbajtur në Shkup.

Marjan Risteski, nga Konfederata e Organizatave Sindikale, tha se në Maqedoni të Veriut gjendja materiale dhe financiare e punëtorëve është duke u përkeqësuar që një kohë të gjatë dhe numri i të papunëve po rritet ndërsa investitorët po largohen nga vendi.

“Në LSM janë regjistruar mbi 10 mijë ankesa për shkeljen e të drejtës së punës, numër që tregon për mosrespektimin e të drejtës së punëtorëve në përmasa të mëdha”, raportoi LSM-ja.

Ata listuan disa nga kërkesat: rritje sistematike e rrogës, rroga minimale të jetë 450 euro brenda 100 ditëve të para të qeverisë, pagesa për shujta për të gjithë punëtorët në vlerë sa 20 % i rrogës mesatare, mbulimi i shpenzimeve për transport, dhe kërkesa tjera.

Ndër kërkesat e sindikalistëve është edhe transferimi i kontratës së punës nga koha e caktuar në kohë të pacaktuar, pas një viti pune. Në listën e kërkesave përfshihet edhe e drejta që e shtuna të merret si ditë jopune, ndërsa orari i plotë i punës të jetë 35 orë në javë.

1 MajGrevaLidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM)ProtestaPunëtor(e) PunëSindikataTë drejtat e punëtorëve