Mbrëmë, në hapësirat e Galerisë së Arteve në Tetovë, u hap ekspozita personale “Copëza dhe fragmente” e artistit Denis Haliti, nga Negotina e Gostivarit, transmeton Portalb.mk.
Nga faqja zyrtare e Galerisë bëjnë të ditur se në këtë ekspozitë u prezantuan 30 piktura të realizuara me teknikën vaj në pëlhurë, ku artisti sjell një narrativ të pasur kreativ si në aspektin koloristik, ashtu edhe në atë tematik.
Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e Galerisë, Arbenita Meta, shprehi kënaqësinë për të hapur këtë ekspozitë, duke vlerësuar stilin e veçantë të Denis Halitit dhe kontributin e tij në artin pamor.
“Me ekspozitën “Copëza dhe fragmente”, Denisi na sjell një qasje të re artistike, ku çdo vepër mbart një mesazh të fuqishëm dhe një ndjesi të thellë emocionale.
Përmes këtyre krijimeve, ai eksploron forma, tekstura dhe ngjyra, duke përçuar momente, ndjenja dhe përvoja të jetës njerëzore. Gjithashtu, disa nga pikturat na kujtojnë tragjedinë e luftës në Gaza dhe vuajtjet e një populli të përvuajtur, duke na ftuar në reflektim mbi realitetin e sotëm. Besoj se Denisi do të vazhdojë të na frymëzojë me krijime të reja dhe të fuqishme në të ardhmen”, tha Meta.
Piktori Bilgaip Koçishta-Bige, në parathënien e katalogut të ekspozitës, e vlerësoi lartë punën e Halitit, duke e cilësuar atë si një artist të gjeneratës së mesme me një përvojë të pasur dhe me një qasje eksperimentale që e ka çuar drejt pikturës abstrakte.
“Në këto vepra, Denisi sjell një kombinim harmonik mes rregullave akademike dhe një ndjeshmërie të lirë krijuese. Copëzat paraqesin ditët, momentet, ndjenjat dhe përmbushjet shpirtërore të njeriut, ndërsa fragmentet janë vetë jeta, si shkëputje nga udhëtimi i shpirtit. Ngjyrat pasqyrojnë kontrastin mes momenteve të ngrohta dhe të ftohta, vijat zig-zage simbolizojnë ulje-ngritjet e jetës, ndërsa format gjeometrike mbartin një simbolikë të thellë ekzistenciale. Simbolika e fluturës është vetë rinia që largohet nga vendlindja, por mbart me vete dashurinë dhe kujtimet e saj”, theksoi Koçishta-Bige.
Ekspozita “Copëza dhe fragmente” është një hapësirë reflektimi dhe introspeksioni, ku çdo vizitor mund të gjejë pjesë të vetes në këto fragmente artistike. Çdo vepër është një pasqyrë e shpirtit njerëzor, një ndjesi e ndërtuar mbi përvojën, gëzimin, dhimbjen, ëndrrat dhe pasiguritë e jetës.
Denis Haliti, përveçse një skulptor i dëshmuar, me këtë ekspozitë vërteton edhe talentin e tij në pikturë, duke sjellë një perspektivë të re dhe origjinale në artin pamor bashkëkohor.
Haliti falenderoi drejtoreshën dhe stafin e Galerisë për mbështetjen dhe organizimin e kësaj ekspozite, duke shprehur mirënjohjen e tij për mundësinë e prezantimit të punës së tij para publikut artdashës.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët në Galerinë e Arteve në Tetovë deri më 20 Shkurt 2025, thuhet në njoftimin e Galerisë.