Me aeroplan qeveritar në Shkup është transportuar pacienti i lënduar në pushim në Turqi

Pacienti nga Shkupi i cili mori lëndime serioze të boshtit kurrizor gjatë pushimit në Kushadasi të Turqisë, është transportuar në vend me aeroplan qeveritar dhe është hospitalizuar në Klinikën Universitare për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Antestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv, njofton Portalb.mk.

Nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se pacienti e ka pësuar lëndimin gjatë një incidenti në një rrëshqitëse uji, ndërsa ishte me pushime në vendpushimin turk të Kushadasit. Më 23 korrik, në një spital lokal i është kryer ndërhyrje kirurgjikale, ku ka qëndruar për trajtim deri në transferimin e tij në vend.

Duke marrë parasysh seriozitetin e lëndimit dhe rekomandimin e mjekëve nga Turqia, Ministria e Shëndetësisë është përfshi menjëherë në koordinimin e institucioneve kompetente dhe të institucioneve shëndetësore. Në bashkëpunim me Qeverinë dhe Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, u organizua transporti mjekësor ajror me avion qeveritar.

Siç thonë nga Ministria, ky operacion kompleks mjekësor është shembull i rëndësisë së koordinimit institucional në kohë dhe efikas, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Ministria e Shëndetësisë potencon se ishte në komunikim të vazhdueshëm me institucionet dhe ekipet mjekësore të përfshira, me qëllim që pacienti të transportohej në mënyrë të sigurt dhe në afatin më të shkurtër të mundshëm në vend, si dhe t’i sigurohej vazhdimi i trajtimit.

“Për shkak të seriozitetit të lëndimit dhe nevojës për transport të shpejtë dhe të sigurt, kolegët kërkuan që pacienti të transportohej në rrugë ajrore. I jemi mirënjohës Ministrisë së Shëndetësisë, Qeverisë dhe Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta për reagimin në kohë dhe mbështetjen në realizimin e transportit”, deklaroi drejtori i Klinikës, dr. Igor Merxhanoski.

Në Turqi u dërgua një ekip profesional mjekësor, i udhëhequr nga drejtuesja e KARIL-it, dr. Marta Treneva. Ekipi e mori pacientin dhe siguroi kujdes dhe mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore gjatë gjithë transportit deri në Shkup.

Pacienti është transportuar me sukses dhe është vendosur në Repartin e Mjekimit Intensiv pranë Klinikës për TOARILUC, ku do të vazhdojë trajtimi i tij.

“Pacienti është në gjendje shëndetësore që kërkon mjekim intensiv. Dokumentacioni mjekësor është shqyrtuar, ndërsa ndërhyrja kirurgjikale e kryer në Turqi është vlerësuar si e përshtatshme dhe e realizuar në mënyrë profesionale. Lëndimet e bushtit kurrizore bëjnë pjesë ndër lëndimet më serioze dhe kërkojnë monitorim të kujdesshëm, qasje multidisiplinare dhe trajtim afatgjatë”, theksoi dr. Merxhanoski.

Në periudhën e ardhshme do të kryhen ekzaminime shtesë, pas së cilave do të përcaktohet rrjedha e mëtejshme e trajtimit dhe rehabilitimit. Në varësi të gjendjes shëndetësore të pacientit, parashikohet edhe terapi fizikale në qendrën spinale në vend.

Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar për sigurimin e kujdesit shëndetësor në kohë, të qasshëm dhe cilësor për çdo qytetar. Edhe në këtë rast, institucionet dëshmuan se, me reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe veprim të përbashkët, mund t’u përgjigjen në mënyrë efikase edhe situatave më komplekse shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë (MSH)Turqia