Me 40 milionë euro nga BE, Maqedonia e Veriut bleu pajisje për ARM-në

Sot, në kazermën “Ilinden” në Shkup, u prezantua pajisje e re për Ushtrinë, e blerë me fonde të Bashkimit Evropian (BE). Pajisjet janë siguruar në kuadër të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, përkatësisht përmes Fondit Evropian për Paqen, dhe janë të ndara në tre paketa, transmeton Portalb.mk.

Pajisjet nga paketa e parë dhe një pjesë e paketës së dytë tashmë kanë mbërritur në vend. Bëhet fjalë për pajisje të llojeve të ndryshme, si radarë, kamera termike, automjete transporti, simulatorë, radar 3D dhe sensorë portativë. Në kuadër të paketës së tretë do të mbërrijnë pajisje për logjistikë, si dhe për njësitë e komunikimit dhe këmbësorisë.

Në prezantim morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski dhe ambasadori i Bashkimit Evropian Mihalis Rokas.

“Siguria është një pjesë thelbësore e partneritetit evropian të Bashkimit Evropian me Maqedoninë e Veriut, veçanërisht duke pasur parasysh se në vitin 2024 nënshkruam Partneritetin për Siguri dhe Mbrojtje. Sot jemi vërtet të kënaqur që mund të shohim rezultate të dukshme të këtij partneriteti. Jam i bindur se do të vazhdojmë të punojmë ngushtë për t’u përballur me të gjitha sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa,” tha Rokas.

Kryeministri i Hristijan Mickoski deklaroi se Ushtria e Maqedonisë së Veriut po fiton vlerësim dhe mbështetje nga NATO dhe Bashkimi Evropian për profesionalizmin dhe përkushtimin e saj, gjatë ceremonisë së pranimit të një donacionit.

Ai falënderoi ambasadorin e BE-së për angazhimin personal, si dhe Bashkimin Evropian për donacionin dhe për vlerësimin që i jep Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut si një forcë e aftë dhe e përkushtuar, pjesë e Aleancës së NATO-s.

Mickoski shprehu mirënjohje edhe për Ministrinë e Mbrojtjes, ministrin, zëvendësministrin, Shtabin e Përgjithshëm dhe të gjithë pjesëtarët e ushtrisë për punën dhe angazhimin e tyre, duke vlerësuar veçanërisht ushtarët që realizuan me sukses demonstrimin ushtarak.

Ai theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në përmbushjen e të gjitha detyrimeve ndaj NATO-s dhe kujtoi vizitën e fundit të komandantit suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë, i cili, sipas tij, ka vlerësuar projektet infrastrukturore dhe investimet në mbrojtje si shembull për shumë vende anëtare.

Sipas Mickoskit, investimet në mbrojtje aktualisht arrijnë në rreth 4 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një nivel që qeveria synon ta ruajë edhe në vitet e ardhshme, pavarësisht sfidave që sjell rritja ekonomike.

Në fund, ai ritheksoi se investimi në ushtri mbetet një nga prioritetet e qeverisë, me synimin që Ushtria e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë të jetë moderne, e gatshme dhe konkurruese.

Kujtojmë se Këshilli i BE-së, më 25 prill 2025 miratoi një masë ndihme me vlerë 15 milionë euro në kuadër të Fondit Evropian për Paqen (EPF). Qëllimi është forcimi i kapaciteteve dhe aftësive mbrojtëse të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe gatishmëria e saj operacionale. Vendimi plotëson mbështetjen e ofruar deri më tani në kuadër të paketave të mbështetjes dypalëshe të vitit 2023 dhe 2024, duke e çuar mbështetjen dypalëshe të EPF-së për Maqedoninë e Veriut në 38 milionë euro deri më sot. Masa e re e ndihmës do të rrisë gjithashtu potencialin e Maqedonisë së Veriut për të kontribuar në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të BE-së dhe në çdo koalicion ndërkombëtar.

Armata e Maqedonisë së Veriut (ARM)Hristijan Mickoski HristianMinistria e Mbrojtjes (MM)